“Festo me zemër jo me armë” – Gërvalla: Përdorimi i tyre në ahengje keqinterpretim i traditës

Prishtinë | 30 Qer 2023 | 11:36 | Nga Hana Lohaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Punëve të Brendshme të premten e ka lansuar fushatën sensibilizuese “Festo me zemër jo me armë”, raporton Ekonomia Online. Moto e kësaj fushate ishin “Festa është gjithmonë më e bukur pa armë” dhe “Dasmorit shumë më bukur i rri në duar shamia, se arma”.

Zv.kryeministrja dhe njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla përgëzoi Ministrisë e Brendshme për nisjen e kësaj fushate. Ajo ka shtuar se përdorimi i armës është vepër penale dhe duhet ndjekur nga të gjitha institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë.

Sipas saj, përdorimi i armës në ahengje është keqkuptuar dhe është keqinterpretim i një tradite më të vjetër se gjashtëshekollure. Ajo më tej ka shtuar se nuset nuk i marrim me dhunë as nuk i grabisim, prandaj thotë se ky mesazh duhet që të përçohet edhe te gjeneratat e reja.

Gërvalla u shpreh e shqetësuar edhe se poezitë për fëmijë janë me luftëra e me armë, duke shtuar se duhet të gjenden mënyra më të mira për t’u treguar atyre se çka ka bërë gjyshërit e tyre në të kaluarën.

“Keqkuptohet se arma e bënë burrin të duket burrë. Keqkuptohet koha kur Kosova nuk kishte lirinë e saj, shtetin e saj. Kohë kur Kosova nuk u mundësonte ndërtimin e të ardhmes sonë. Ne sot nusen e marrim me muzikë, me festë, nuk i grabisim. Nusja sot vjen në një familje ku është e mikpritur. Prandaj keqinterpretimi i një tradite më të vjetër se gjashtëshekullore është ndonjëherë më shumë i dëmshëm se i dobishëm. Është e rëndësishme të mendojmë se ç’mesazh po i përçojmë të rinjve tanë, fëmijëve tanë”.

“Nëse shkoni të shihni poezitë që një fëmijë i vogël di, shumica prej tyre janë me gjak, me luftë, me armë. Duhet të gjejmë mënyra të reja, të mira, për t’ju treguar se çka kanë bërë gjyshërit e tyre. Arma nuk e ka vendin as në familje, as në shtëpi. Arma e ka vendin në duart e Policisë së Kosovës, tek profesionistët të cilët janë të trajnuar të ushtrojnë rendin dhe ligjin qoftë edhe me anë të forcës. Mërgata kur vjen të mos përballet me tragjedi. Përdorimi i armës është vepër penale dhe duhet ndjekur nga të gjitha institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë”.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani tha se Policia e Kosovës rreth 1 500 armë ilegale i konfiskoi vetëm brenda një viti.

Sipas tij, duhet të ritheksohet se të shtënat në tubime e ahengje familjare janë të ndalueshme me ligj dhe të dënueshme penalisht.

Ai ka sqaruar se një plumb i hedhur në ajër kthehet me forcë të mjaftueshëm për të depërtuar në trupin e njeriut, raporton EO.

“Fushata do të prihet kryesisht gjatë sezonit të verës. Arsyeja janë shtimi i ahengjeve, shtimi i popullsisë pra ardhja e mërgatës, e me këtë shtim edhe shtimi i të shtënave. Mendojmë se institucionet mund të arrijnë ndalimin e shtënies së armëve. Policia e Kosovës vazhdimisht punon në këtë drejtim, por e vetme nuk mund të arrijë të ndalojë këtë fenomen. Një nga prioritetet e ministrisë së Punëve të Brendshme dhe e Qeverisë së Kosovës është ofrimi dhe ruajtja e sigurisë”. 

“Duhet ta ritheksojmë e ripërsërisim se të shtënat në tubime e ahengje familjare janë të ndalueshme me ligj dhe të dënueshme penalisht. Një plumb i hedhur në ajër kthehet me forcë të mjaftueshëm për të depërtuar në trup të njeriut. Policia e Kosovës rreth 1 500 armë ilegale i konfiskoi vetëm brenda një viti. Në muajt në vijim do të bëjmë punë vazhdimisht që shtënia me armë është veprim i dënueshëm ligjërisht, akt i shëmtuar e primitiv, dhe arma nuk e ka vendin në dasmat tona, arma nuk e ka vendin në ahengjet tona”.

Shqipdon Fazliu nga Prokuroria e Shtetit, tha se ndonëse këto raste ndodhin në familje dhe motivi nuk ka qenë vrasja, dënimi është i njëjtë.

“Kryerësit e këso rasteve janë ose dashamirë ose familjarë. Por pavarësisht motivit dënimi për vrasje është i njëjtë. Kjo fushatë është e një rëndësie të veçantë; arma është vdekjeprurëse. Festoni ditën e natën, kërceni e luani por duhet t’i kursejmë edhe fëmijët e të afërmeve tonë. Ka pasur raste kur prindi e ka vrarë fëmijën e tij, burri ka vrarë njëkohësisht gruan dhe nënën e tij”.

Nënkolonelja Zylfije Dema, në emër të Policisë së Kosovës, tha se çdo qytetarë duhet që të reflektojë për përdorimin e armëve në ahengje, duke bërë apel që të dëgjohen thirrjet e Policisë.

“Policia e Kosovës në vazhdimësi është e angazhuar dhe paralajmëron qytetarët për rrezikshmërinë dhe dënueshmërinë e përdorimit të armëve. Është e papranueshme që të kemi humbje jete në raste gëzimi. Kërkojmë nga çdo qytetar që të reflektojmë mbi veprimet dhe vendimet e tyre”.

Mbështetës së kësaj fushate janë Bashkimi Evropian dhe UNDP-ja.

MPB-ja gjatë muajit qershor, ka filluar me implementimin e fazës së parë të fushatës ku janë realizuar disa aktivitete kundër të shtënave festive, me ç ‘rast janë përfshirë institucionet qendrore e lokale, shkollat e bashkësitë fetare, forumet e sigurisë në bashkësi e përfaqësues të gastronomisë, OJQ e mediat lokale.

Në disa shkolla në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Prizren, Mitrovicë dhe Pejë, janë mbajtur ligjërata mbi rrezikun e përdorimit të armëve të zjarrit, por edhe armëve të ftohta.

Gjithashtu vlen të theksohet se fushata do të jetë edhe më aktive gjatë sezonës së verës, ku do të ketë audienca të tjera të synuara, që vlerësohet se do të ndikojnë në parandalimin e të shtënave festive. Kjo fushatë do të zgjasë deri në fund të muajit shtator.

Të ngjashme