Kryetari i Degës së Nismës në Istog dhe bartës i listës, Musa Fetahaj, ka porositur kandidatët për Asamble Komunale që për Nismën dhe veten e tyre të kërkojnë votën e mos t’iu vijë hiq marre.
“Lypne votën tuaj ballëhapur se jeni të pakorruptuar, jeni të shkolluar e punëtorë. Lypne votën e mos të ju vijë keq. Ju duhet ta promovoni vetën tuaj dhe Nismën”, tha Fetahaj, në tubimin e hapjes së fushatës në Istog, raporton Ekonomia Online.
Mungesa u ujit të pijshëm për qytetarët e Istogut ishte problemi në të cilin kandidati i Nismës u fokusua gjatë tubimit që mbajti me qytetarë e kandidatë për Asamblenë e këtushme Komunale.
“Është e pakuptimtë që në shekullin 21 të mos kemi ujë të pijshëm”.
Ai tha se kandidatët për asamble komunale të Nismës do të jenë shërbyes të popullit e jo sundimtar të tyre.
“Ju do viheni në shërbim të tyre që t’iu siguroni një mirëqenie më të mirë përgjithësisht. Ju që nga sot duhet të jeni zëri i tyre edhe që nga sot të viheni në veprim dhe të merrni obligime që fshatra të mos mbetën më pa ujë të pijshëm”, tha Fetahaj.
“Kurrë nuk do të lejojmë që bujku të jetë i përbuzur nuk do të lejojmë që një kategori e bujqve të marrin gjithçka vetëm për shkak se përkrahin një subjekt politik. Ne do të jemi afër qytetarët çdoherë”, theksoi Fetahaj.
Krasniqi në Istog: Kandidatët e Nismës nuk do t’ju zhgënjejnë
Kryetari i Këshillit kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, me rastin e hapjes së fushatës zgjedhore në Istog, është zotuar se kandidatët e tyre nuk do të zhgënjejë asnjëherë qytetarët e Istogut dhe se Nisma për Kosovën, me angazhimin e saj do të ofrojë perspektivë sidomos për të rinjtë.
Sipas Krasniqit, Kosovën duhet ta udhëheqë një subjekt politik që merr vendime të tilla për Kosovën, pavarësisht çmimit që duhet të paguajnë për to, qoftë edhe nëse shkojnë në opozitë.
“Jam larguar pas lufte nga Partia Demokratike jo për interesa personale, por se kam qenë i bindur se ata njerëz nuk po dinë të qeverisin dhe se ata njerëz nuk po e mbrojnë interesin politik të shtetit tonë. Vetë situata politike në të cilën gjendet vendi ynë, shteti ynë dhe kombi ynë flet më së miri se ata njerëz nuk kanë ditur të qeverisin me këtë vend, nuk kanë ditur të forcojnë shtetin dhe për mua dhimbja më e madhe ka qenë kur të rinjtë e Kosovës, 13-16 vjet pas luftës, perspektivën e tyre nuk e shohin në Kosovë, por e shohin në ikje nga Kosova”.
“Për ne që kemi bërë diçka për këtë vend nuk ka gjë më të rëndë. Nisma dëshiron vërtet që me angazhimin e saj kudo që të jetë, në qeveri, pushtet lokal, të angazhohet për t’iu shërbyer qytetarëve dhe le të angazhohet fort për të krijuar perspektivë për gjeneratën e re, për të ardhmen e këtij vendi”, tha Krasniqi.
Ndërsa, deputeti nga Nisma, Milaim Zeka, duke kërkuar mbështetje për asamblistët, tha se Nisma është parti që do t’iu qëndrojë afër të varfërve.