Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Zyra Regjionale në Gjakovë, Argjend Fetahu, e sheh shqetësuese zvarritjen e punimeve në projektin e zgjerimit të rrugës Dollc-Gjakovë.
Ai për Ekonomia Online, tha se më së shumti që po dëmtohen janë bizneset, teksa ka kërkuar nga niveli qendror që kjo rrugë të përfundojë sa më shpejt.
“Është goxha shqetësuese tek bizneset për shkak sepse mallrat në import e eksport e ngadalëson zhvillimin e bizneseve në aspektin infrastrukturor, por po shpresojmë që Qeveria të marrë masa sa më shpejt dhe ta përfundojë punën e saj siç është zotuar”, u shpreh ai, teksa ka folur edhe për sfidat që kanë bizneset në Gjakovë.
Sipas tij, vendosja e taksës komunale për bizneset dhe ikja e fuqisë punëtore, janë disa nga shqetësimet e AKB-së dhe bizneseve.
“Bizneset në komunën e Gjakovës gjatë kohës së pandemisë kanë qëndruar shumë keq, tani janë duke e marrë vetën falë Aleancës Kosovare të Bizneseve, që kemi bashkëpunime të ndërsjellta me organizata të ndryshme dhe me nivelin lokal e qendror. Jemi duke punuar në maksimum që t’i përkrahim dhe të lobojmë për ta, dhe tani për tani qëndrojnë mirë. Kemi kompani që janë duke ardh për të investuar në Gjakovë falë punës së AKB-së. Ka lloje të ndryshme të shqetësimeve. Si nivel lokal është e vetmja komunë që ka vendosur taksë në firmë, gjë e cila është kundër komunave tjera dhe kjo është jo e mirëseardhur për bizneset e komunës së Gjakovës. Pavarësisht edhe kësaj sfide, bizneset janë duke e tejkaluar këtë sfidë, janë duke punuar, por për momentin fuqinë punëtore e kemi pak mangu”, u shpreh Fetahu.