Kandidati për kryetar të Podujevës nga Partia Demokratike e Kosovës, Naim Fetahu, pikërisht më & Mars -Ditën e Mësuesit, ka prezantuar programin e tij arsimor, raporton Ekonomia Online. Ai i ka uruar me këtë rast të gjithë punëtorë e arsimit për ditën e tyre,
Në një konferencë për media kandidati Fetahu ka thënë se me ardhjen e tij në krye të Podujevës do të përmirësohet gjendja në arsim. Ai ka thënë se meqë edhe vet është mësimdhënës i njeh mirë nevojat e mësimdhënësve dhe shkollave të kësaj komune. Fetahu u zotua që me ardhjen e tij në krye të Podujevës më nuk do të ketë punësime partiake, por mësimdhënësit do të punësohen me meritë.
“Si punëtorë i arsimit mund të kontribuojë që gjendja në arsim të ndryshojë. Në komunën tonë gjendja nuk është e mirë, e kemi një situatë kur nota mesatare është 2.62 në shkollat e mesme. Kjo gjendje ka ardhur si pasojë e punësimeve jo transparente dhe politike. Njerëzit janë avancuar përmes përkatësisë partiake dhe me ardhjen time në pushtet do të ndërprejmë këtë praktikë.”, ka thënë Fetahu.
Ai ka thënë se në qeverisjen e tij do të ketë punësime transparente.
“Do të punojmë që të kemi punësime transparente, të vendoset sistemi i meritokracisë, të fitojnë njerëzit të cilët janë të përgatitur. Unë ju garantoj që cdo punëtorë do të punësohet dhe avancohet në bazë të meritave të punës që bën.”, tha Fetahu.
Ai ka premtuar hapje të çerdheve të reja, përshtatje të planprogrameve me nevojat e tregut të punës, infrastrukturë më të mirë.
“Do të investojë në shkolla të reja, nuk do të jetë që të punohet në tri ndërrime, do të investojë në kabinete, palestra sportive dhe do të mbështesë nxënësit e dalluar. Do të punojë në avancimin e shkollave profesionale. Arsimi të jetë në përputhje me kërkesat e tregut dhe në funksion të ekonomisë së tregut”, shtoi ai.