Fetoshi: Serbia po tenton destabilizim në veri për ta cenuar procesin zgjedhor në Kosovë

Prishtinë | 06 Qer 2026 | 08:47 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Institutit OCTOPUS, Arben Fetoshi, ka thënë se Serbia po zhvillon operacione hibride kundër Kosovës dhe agjendës euro-atlantike në rajon, duke tentuar destabilizim në veri të Mitrovicës para zgjedhjeve të 7 qershorit, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, tensionet e fundit në veri lidhen me dështimin e Serbisë për ta sabotuar samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat të Malit të Zi dhe me përpjekjet për të ndikuar në integritetin zgjedhor në Kosovë.

Fetoshi tha se skenari i dështuar i Serbisë për ta lënë në hije samitin BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tivat të Malit të Zi, ka vazhduar sot në veri të Mitrovicës me provokimin kundër simbolit të paqes dhe integrimit “I❤︎ Mitrovica”, për të nxitur destabilizim para zgjedhjeve.

“Plani i djeshëm për zbarkim në Tivat me 87 ‘mercenarë’ që do ta kërcënonin sigurinë para samitit, u pengua nga autoritetet malazeze, duke i kthyer ata në Serbi, prandaj ‘duhej’ vazhduar me tensione në veri, për shkak të qëllimit minues ndaj zgjedhjeve”, tha Fetoshi.

Ai tha se përpjekjet e Serbisë për ndërhyrje rajonale reflektojnë agjendën e integrimit euro-atlantik me Republikën e Kosovës si faktor të rëndësishëm në arkitekturën e sigurisë.

“Për këtë arsye, Aleksandër Vuçiq orkestroi ‘mbështetjen’ nga Maqedonia e Veriut me mesazhe nacionaliste kundër Kosovës, artikuloi qartë objektivin për ta kontrolluar votën e çdo serbi në Kosovë përmes Listës Serbe dhe planifikoi sabotimin e BE-së në Tivat, për ta sfiduar Podgoricën si aleate të NATO-s”, tha ai.

Fetoshi shtoi se pas dështimit në Mal të Zi, Serbia aktivizoi struktura në veri të Kosovës për të nxitur tensione politike dhe emocionale.

“Pas dështimit në Mal të Zi dhe viktimizimit të zakonshëm me ‘diskriminim’, BIA aktivizoi provokimin në veri duke përfshirë Milan Radojeviqin e Ivan Zaporozhcin, me qëllim të mobilizimit emocional, përmes një simboli të kornizuar nga propaganda dhe strukturat serbe si ‘sulm ndaj identitetit’ të tyre apo si veprim për ‘shqiptarizimin’ e veriut”, tha Fetoshi.

Ai tha se zhvillimet e fundit duhet parë në kontekstin e projektit për “Botën Serbe” dhe proceseve integruese të rajonit.

“Nisma e shpallur në prag të samitit nga Macron dhe Merz për ta përshpejtuar integrimin e rajonit në BE dhe propozimi në SHBA për anëtarësimin e Kosovës në NATO, janë mesazhe strategjike që pamundësojnë synimet hegjemoniste të Serbisë”, tha ai.

Sipas Fetoshit, arrestimi i personave të dyshuar për manipulim të votave të Listës Serbe ka kufizuar hapësirën për kontroll politik mbi komunitetin serb në Kosovë.

“Në një situatë të tillë, orkestrimi i një krize të re në veri duke mobilizuar punonjësit e strukturave ilegale të arsimit e shëndetësisë, është një operacion hibrid që ka për qëllim ta cenojë rendin dhe integritetin e procesit të zgjedhjeve më 7 qershor”, tha Fetoshi.

Të ngjashme