Lojtarët e skuadrës serbe, Trepça, që nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) dhe institucionet e tjera të vendit llogaritet ilegale, para çdo ndeshjeje si vendas në Zveçan rrinë gatitur dhe bashkë me të tjerët këndojnë himnin e Serbisë.
Kështu ishte edhe në ndeshjen e 12 shtatorit kundër Maçvas në kuadër të xhiros së gjashtë të Ligës së Tretë të Serbisë. Nga videoja që e ka postuar skuadra serbe nga kjo ndeshje, lart mbi shkallët e stadiumit në Zveçan që ka ulëse me ngjyrat e flamurit të Serbisë, shihet teksa valon edhe flamuri i shtetit fqinj, shkruan sot Koha Ditore.
Këto janë të papranueshme për Federatën e Futbollit të Kosovës, e cila është e vetmja e thirrur për të organizuar gara në territor të Kosovës, falë licencës vendore dhe statusit që ka në UEFA dhe FIFA.
Po ashtu, për të ekziston vetëm një skuadër me emrin Trepça, ajo me bazë në jug të Mitrovicës e që garon nën ombrellën e FFK-së.
FFK-ja thotë se vetë nuk mund t’i ndalë garat ilegale të Serbisë në Kosovë. I ka shkruar UEFA-s, por nuk ka marrë përgjigje të prerë. E si shpresë të fundit ka intervenimin e institucioneve të Kosovës, përkatësisht të Policisë.
“Brenda një kohe të shkurtër kemi reaguar dy herë në lidhje me këtë dukuri, për të cilën i kemi njoftuar edhe FIFA-n e UEFA-n. Ne kemi bërë gjithçka që është në duart tona, por tani i takon Policisë së Kosovës të marrë masat e duhura dhe të mos lejojë zhvillimin e ndeshjeve ilegale në territorin tonë”, është shprehur sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu të mërkurën, duke shtuar se FIFA dhe UEFA po e trajtojnë me kujdes këtë çështje përpara se të marrin ndonjë vendim të prerë. “Pra, kemi reaguar edhe për ndeshjet e kampionatit dhe të Kupës së Serbisë. Tashmë e kemi lajmëruar Policinë tonë dhe presim ndihmë prej saj, pasi ne nuk mund t’i ndalim këto gara. Është momenti i fundit që këtu të ndërhyjnë edhe organet shtetërore për të dëshmuar se në territorin e Kosovës nuk mund të zhvillohen ndeshjet ilegale”.
E çështja e skuadrave të Serbisë, që hynë e dalin nga Kosova pa telashe, është aktualizuar vetëm të martën, kur Trepçës ilegale i ka rënë të takohet me klubin e famshëm serb Cërvena Zvezda në kuadër të Kupës së Serbisë.