Ishte viti 2009 kur FFK-ja ia pati shitur të drejtat televizive të Përfaqësueses së Kosovës një kompanie me seli në Zvicër, në vlerë prej 4 milionë e 600 mijë eurosh. “Kentaro AG” menjëherë e kishte siguruar kontratën, duke i derdhur 300 mijë euro në xhirollogarinë e FFK-së. Ato para janë harxhuar moti, kurse “Kentaro AG” ka falimentuar pa e pritur pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA. Me rastin është njoftuar UEFA, e cila shumë shpejt do t’ia gjejë FFK-së një blerës të ri, shkruan sot gazeta Zëri
Eliminatoret e Kampionatit Botëror “Rusia 2018”, në të cilat do të garojë edhe Kosova, do ta pasurojnë Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) edhe financiarisht.
Përpos të hyrave nga shitja e biletave apo e sponsorëve të ndryshëm, miliona euro pritet të derdhen në xhirollogarinë e FFK-së edhe nga shitja e të drejtave televizive të reprezentacionit kosovar.
Derisa të drejtat televizive të Superligës janë shitur për 150 mijë euro, ato të Përfaqësueses së Kosovës pritet të jenë me vlerë milionëshe.
Në fakt, qysh në vitin 2009, kur Kosova nuk ishte anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s, FFK-ja ia pati shitur të drejtat televizive të reprezentacionit kosovar kompanisë me seli në Zvicër, “Kentaro AG”.
Kjo e fundit kishte nënshkruar kontratë me shtëpinë e futbollit kosovar në vlerë prej 4 milionë e 600 mijë eurosh.
Sipas asaj kontrate, “Kentaro AG” kishte blerë të drejtën për t’i transmetuar ndeshjet e Kosovës për katër vjet dhe marrëveshja parashihej të zbatohej menjëherë pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA. Me këtë nënkuptohet se “Kentaro AG” kishte të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të Kosovës në eliminatoret e “Botërorit 2018” dhe ato të “Evropianit 2020”.
Posa palët kishin nënshkruar kontratën, “Kentaro AG” i pati derdhur 300 mijë euro në xhirollogarinë e FFK-së si garanci të kontratës. Kurse, pagesa e 4 milionë e 300 mijë eurove tjera do të duhej të fillonte të bëhej tani.
Mirëpo, një gjë e tillë nuk ka ndodhur e as nuk do të ndodhë. Kjo pasi “Kentaro AG” tani nuk ekziston. Kjo kompani, dikur shumë e fuqishme që kishte arritur t’i blinte të drejtat televizive edhe të Brazilit, viteve të fundit kishte marrë tatëpjetën, ndërsa në korrik të vitit të kaluar një gjykatë në Zvicër e kishte shpallur të falimentuar.
Gazeta “Zëri” ka bërë përpjekje që të kontaktojë kompaninë në fjalë dhe ish-zyrtarët e saj. Por, të gjitha email-et dhe numrat telefonikë që i kishte dikur në dispozicion ishin jashtë funksionit.
Kontrata mes Kosovës e “Kentaro AG” është në duart e UEFA-s
Në kohën kur FFK-ja kishte nënshkruar kontratë me “Kentaro AG”, pra në vitin 2009, secila federatë kishte të drejtën e shitjes së të drejtave televizive të kombëtares së saj.
Por, viteve të fundit ka hyrë në fuqi një rregull i ri. Tani UEFA i negacion dhe i shet të drejtat televizive të shteteve anëtare të saj e po ashtu i siguron ato dhe pastaj paratë ua shpërndan anëtarëve të saj.
Ky rregull i ri e zuri të pafilluar e të papërfunduar zbatimin e një kontrate dikur të vlefshme të FFK-së me “Kentaro AG”, shkruan Zëri.
Kjo krijoi mjegulli rreth kontratës së moçme të FFK-së me “Kentaro AG” pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.
Por, falimentimi i kësaj kompanie të njohur realisht heq shumë dilema, duke e lehtësuar zgjedhjen e çështjes, gjë që më së shumti i shkon për shtati FFK-së, e cila qysh moti i ka marrë 300 mijë euro, kurse “Kentaro AG” nuk pati jetë që ta presë anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.
Për krejt këtë situatë tani është e njoftuar mirë edhe UEFA, së cilës, sipas rregullit të ri i takon t’ia gjejë Kosovës transmetuesin e ndeshjeve kualifikuese, nga i cili proces sigurisht se diçka përfiton edhe vetë shtëpia e futbollit evropian.
“Jozyrtarisht nga kompania ne kemi marrë informacione se ‘Kentaro AG’ ka falimentuar. Sidoqoftë, sa i përket kontratës me ‘Kentaro AG’, ne ju kemi drejtuar UEFA-s, të cilën e kemi informuar se ne kemi pas bërë marrëveshje me kompaninë në fjalë para se të pranohemi dhe para këtij rregullit të ri. Pavarësisht se a ka falimentuar apo jo ‘Kentaro AG’, rastin tonë do ta sqarojë UEFA dhe sigurisht se do të zgjidhet pa komplikime”, thotë FFK-ja, e cila jep disa shpjegime rreth “aventurës” së saj me një kompani ish-gjigante, por që tani nuk ekziston.
“Kur FFK-ja ka nënshkruar kontratë me ‘Kentaro AG’ në fuqi ka qenë një rregull tjetër. Në atë kohë, secila federatë kishte të drejtën që vetë t’i negociojë dhe t’i shesë të drejtat televizive të saj. Kështu që në atë kohë ne i patëm negociuar dhe i patëm shitur të drejtat televizive. Kontrata vlente për një cikël olimpik prej katër vjetësh, që i bie për dy palë eliminatore”, thekson FFK-ja.
Shtëpia e futbollit tashmë nuk po i pret 4 milionë e 300 mijë eurot që do të duhej t’ia paguante “Kentaro AG”, sipas kontratës që kishin. Por, po pret që UEFA t’ia gjejë një blerës të kënaqshëm.
“Deri në pranimin tonë në UEFA dhe në FIFA disa rregulla kanë ndryshuar nga ajo kohë. Tani federatat nuk i shesin të drejtat televizive, por është UEFA ajo që i negocion dhe i shet në emër të tyre dhe i mbron ato marrëveshje. Kështu që, ne presim që UEFA do t’i negociojë edhe të drejtat televizive të Kosovës sikurse vendeve tjera dhe besoj se shumë shpejt do të mësojmë se kush do t’i transmetojë ndeshjet e Kosovës dhe sa do të përfitojmë nga shitja e të drejtave televizive. Të gjitha do të bëhen të ditura me kohë”, potencon FFK-ja.
300 mijë eurot e “Kentaro AG” janë harxhuar
FFK-ja nuk ka faj që një gjykatë në Zvicër e ka shpallur falimentimin e “Kentaro AG”, e cila ka lënë edhe shumë borxhe prapa vetes, ndërsa ishte duke u hetuar edhe nga FIFA, e cila dyshonte se kompania në fjalë në disa raste kishte shkelur rregullat.
Andaj, shtëpia e futbollit kosovar ligjërisht nuk e ka për obligim t’ia kthejë 300 mijë eurot e “kaparit” kësaj kompanie, e cila tani nuk ekziston dhe FFK-ja më nuk ka as adresë të ish-partnerit.
Për më tepër, ato 300 mijë euro me prejardhje nga “Kentaro AG” janë harxhuar dhe nuk janë më as në xhirollogarinë e FFK-së.
“Të drejtat televizive i patëm shitur në vlerë prej 4 milionë e 600 mijë eurosh. ‘Kentaro AG’ menjëherë e pati paguar një shumë prej 300 mijë eurosh si garanci për marrëveshje, kurse 4 milionë e 300 mijë euro do të duhej të paguheshin më vonë. Ato 300 mijë euro që i patëm marrë në atë kohë shumë të vështirë për futbollin kosovar, e patën shpëtuar futbollin e Kosovës sepse me to FFK-ja i pati kryer disa obligime që do të duhej t’i kryenin klubet e që në atë kohë që qëndronin shumë keq financiarisht dhe nuk kishin mundësi. FFK-ja u pati dalë në ndihmë”, ka deklaruar FFK-ja për Zërin.