Federata e Futbollit e Kosovës ka konfirmuar se do të ketë ndryshime te trajnerët e përfaqësueseve të Kosovës në futboll. Nuk është saktësuar nëse ndryshimet e planifikuara do të prekin edhe selektorin e përfaqësueses A, Bernard Challandes.
Është Komiteti Ekzekutiv i FFK-së që mbajti mbledhje të premten dhe që vendosi për ndryshime.
Ende pa ndarë rrugët me trajnerët aktual, trajnerë të tjerë kanë shprehur interesim për të marrë pozita. Këtë e ka pranuar edhe FFK-ja në njoftimin e saj.
“KE analizoi dhe shqyrtoi edhe çështjen e trajnerëve të ekipeve kombëtare, me ç’rast u dakordua që të bëhen ndryshime aty ku vlerësohet se është e nevojshme, me qëllim të rritjes së cilësisë dhe në kërkim të rezultateve. Realisht ana ekonomike nuk është e leverdishme, por ka trajnerë që kanë shprehur gatishmëri për të qenë bartës të punës në ekipet kombëtare dhe KE do të bëjë zgjidhjen e duhur”, thuhet në njoftimin e FFK-së.