Federata e Futbollit të Kosovës ka dalë në përkrahje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e shprehur mbështetjen e fuqishme për çlirimtarët.
Shtëpia e futbollit kosovar ka reaguar përmes një komunikate pas aktakuzave nga Gjykata Speciale ndaj presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
Reagimi i plotë i kryetarit të FFK-së Agim Ademi:
Lufta e pastër dhe sakrifica e popullit tonë e viteve të 90-ta ditëve të fundit ka marrë goditje të rëndë.
Çlirimtarët tanë, në radhët e të cilëve ishin edhe shumë sportistë e sportiste, 21 vjet më parë ia kthyen pushkën regjimit të Sllobodan Millosheviqit, duke e mbrojtur pragun e shtëpisë dhe duke luftuar me devotshmëri për çlirimin e Kosovës dhe për lirinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve të këtij vendi.
UÇK dhe ushtarët e saj zhvilluan luftë të pastër edhe pse nuk ishin të barabartë për nga armatimi me pushtuesin serb.
Falë heroizmit e gjakut të luftëtarëve, por edhe mbështetjes së botës së qytetëruar iu dha fund masakrave të regjimit serb mbi popullatën civile shqiptare dhe u arrit shtetësia e vendit tonë, të cilën tash e sa vite po e lartësojnë me suksese të njëpasnjëshme sportistët tanë.
Sakrifica e të bërit sport në fusha të improvizuara e të përbaltura është një histori e papërsëritshme, ashtu siç është edhe lufta e drejtë dhe e pastër e popullit tonë.
Tani kur sukseset e sportistëve tanë janë mahnitëse dhe gjithnjë e më shumë flamuri i shtetit tonë po pushton arenat ndërkombëtare, madje edhe në vendet që ende nuk na e kanë njohur pavarësinë, ka rifilluar një fushatë e egër kundër simbolit tonë të shenjtë UÇK dhe luftës së drejtë, ku me fakte të fabrikuara në ‘kuzhinën e Beogradit’ po bëhet përpjekje që të njolloset lufta e pastër e popullit të Kosovës për liri.
Në këtë periudhë të vështirë për ushtarët dhe drejtuesit e UÇK-së, të cilët po ballafaqohen padrejtësisht me inicime të aktakuzave për krime lufte, Federata e Futbollit e Kosovës dhe i tërë komuniteti i futbollit shpreh fuqishëm mbështetje për të gjithë ata që kanë kontribuuar që ne sot të jemi lirë dhe të jemi pjesë e dy institucioneve më të mëdha të futbollit, FIFA dhe UEFA.
#meçlirimtaret