Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, sot, udhëtoi në Doha të Katarit, ku nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Federatën e Futbollit të Katarit.
Presidenti Ademi në aeroportin e Dohas është pritur nga zyrtarët e FF të Katarit si dhe nga ambasadori i Kosovës, Amir Ahmeti, ndërsa në Doha po qëndron me ftesë të Federatës së Futbollit të Katarit, transmeton Gazeta Express.
Në selinë e Federatës së Futbollit të Katarit është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet dy federatave nga nënkryetari i FF të Katarit, Saoud Al Mohannadi (që është edhe nënkryetar i Konfederatës Aziatike) dhe nga presidenti Ademi.
Ky memorandum përmban shumë fusha të bashkëpunimit, nga të cilat do të përfitojë futbolli i Kosovës, si në aspektin sportiv edhe në atë menaxherial dhe të marketingut.
Presidenti Ademi, sonte, do të jetë mysafir special i FF të Katarit në ndeshjen e Superkupës së Konfederatës së Azisë ndërmjet skuadrës nga Egjipti, Zamalek dhe asaj nga Tunisi, Esperance, derisa nesër presidenti Ademi do ta vizitojë institutin e sporteve të Katarit dhe institutin e mjekësisë sportive.