Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka mbajtur sot një takim me gjyqtarët e Superligës, pas analizimit të rasteve kontestuese në xhiron e fundit.
Në takim, siç njofton FFK-ja, Ademi i ka kërkuar gjyqtarëve që të jenë sa më vigjilent dhe ta kryejnë punën e tyre në përpikëri, derisa ua ka bërë të qartë se masat ndaj tyre që do të bëjnë gabime do të jenë të ashpra, deri në delegim në liga më të ulëta.
“FFK ka investuar vazhdimisht në gjyqtarë të rinj dhe do ta vazhdojë punën në këtë drejtim, ngase krahas rritjes së cilësisë së ligave synon që të ketë rritje të kapaciteteve dhe profesionalizmit edhe tek gjyqtarët dhe organet e tjera të saj. Komisioni i Gjyqtarëve së shpejti do të organizojë sërish normat fizike për gjyqtarët, me qëllim që në ndeshje të delegohen gjyqtarët më të përgatitur. Po ashtu, FFK u bën thirrje edhe drejtuesve të klubeve që të mos bëjnë deklarata të pamatura dhe presion tek gjyqtarët, sepse gjërat e tilla nuk do të tolerohen. Ndërkohë, nesër do të mbahet takimi edhe me gjyqtarët e Ligës së Parë”, thuhet nga FFK-ja.
Dje Llapi ka kërcënuar me tërheqje nga garat, ndërsa është ankuar në referim.