Në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) nuk kanë dhënë ndonjë datë të saktë se kur do të nisë të implementohet sistemi VAR në ndeshjet e Superligës së Kosovës. Por në FFK premtojnë se sistemi VAR do të aplikohet këtë vit në futbollin kosovar.
Në FFK pranojnë se bëhet fjalë për projekt të kushtueshëm e po ashtu edhe infrastruktura e stadiumeve të vendit ende është larg nivelit të dëshiruar. Por, në Federatë janë të vendosur që në afat sa më të shpejtë VAR-i të nisë të implementohet edhe në futbollin elitar të Kosovës.
Për t’u përgatitur, FFK-ja ka organizuar edhe një seminar për dy ditë rresht me gjyqtarët e Superligës dhe të Ligës së Parë. Seminari i mbajtur në ambientet e stadiumit “Fadil Vokrri” është udhëhequr nga instruktori i UEFA-s, Sokol Jareci.
“Presidenti Agim Ademi dhe KE i FFK-së e kanë vendosur si prioritet implementimin e sistemit VAR në Kosovë dhe seminari dyditor për gjyqtarë ka shërbyer edhe në këtë segment. Normalisht se ky është një projekt gjigant dhe i kushtueshëm, por Federata e Futbollit e Kosovës është e vendosur që ta implementojë atë në një afat sa më të shpejtë të mundshëm”, thuhet në përgjigjen e FFK-së dhënë KOHËS.
Në fakt, aplikimi i VAR-it në futbollin kosovar ka qenë tema e diskutimit edhe më herët. Janë mbajtur takime si me drejtues të FSHF-së e po ashtu edhe me ata të Federatës së Turqisë.
Aplikimi i këtij sistemi është cilësuar i kushtueshëm dhe pritet që të kapë vlerën e 1 milion eurove, ndërsa VAR-i në futbollin kosovar do të jetë mobil.
“Nuk do të dëshironim të jepnim afate kohore, ngase është një sistem i cili kërkon punë zinxhirore dhe gjithçka duhet bërë në bashkëpunim me FIFA-n, por sigurisht se implementimi do të bëhet gjatë këtij viti. Tashmë është krijuar ekipi i këtij projekti dhe ka filluar ekspertiza e nevojshme për ta përgatitur sa më mirë shtrirjen dhe realizimin e këtij projekti. Presidenti Ademi ka zhvilluar takime të shumta lidhur me këtë projekt dhe përgatitja e gjyqtarëve dhe kuadrove tjera do të bëhet nëpërmjet seminareve të përbashkëta me FSHF-në”, thuhet tutje në përgjigjen e shtëpisë së futbollit kosovar.
Në të vërtetë edhe njohës të futbollit të Kosovës e kanë cilësuar si të nevojshëm futjen e sistemit VAR, që asiston arbitrat gjatë situatave delikate.
Akuzat e drejtuesve të klubeve e po ashtu edhe trajnerëve kanë qenë të mëdha në të kaluarën në ndarje të drejtësisë. Edhe këtë edicion ka pasur reagime të ndryshme duke u vënë faj gjyqtarëve për gabimet në ndarje të drejtësisë.
Edhe në FFK thonë se VAR-i do t’ua lehtësonte punën gjyqtarëve të Kosovës.
“Për të bërë gjëra të mëdha duhet edhe guxim, edhe atëherë kur mendohet se një gjë e tillë është e pamundur të realizohet. Presidenti Ademi është i vendosur që ta implementojë këtë projekt në një afat rekord, i cili pa dyshim do t’i ndihmojë gjyqtarët në punën e tyre dhe njëherësh do të rrisë edhe nivelin e drejtësisë në futbollin tonë”.
Por, në Federatë pranojnë se infrastruktura nuk ua mundëson që të kenë sistemin VAR ashtu si edhe në shtetet e zhvilluara.
Aktualisht vetëm stadiumi “Fadil Vokrri” i plotëson kriteret minimale të UEFA-s për ndeshje të përfaqësueseve, ndërsa disa janë në rinovim e disa në gjendje të mjerueshme, pa hapësira adekuate.
Për ta bërë të implementueshëm sistemin VAR, FFK-ja ka zgjedhur sistem mobil.
“Jemi të vetëdijshëm se infrastruktura e stadiumeve tona ende është larg nivelit të dëshiruar, por viteve të fundit është punuar shumë në këtë drejtim dhe vazhdon të punohet. Sigurisht se ky projekt ambicioz do t’i nxisë edhe institucionet e tjera për investime kapitale në përmirësimin e infrastrukturës. Ky projekt është sfidues, por FFK-ja ka zgjedhur formën e sistemit mobil të VAR-it dhe në këtë aspekt do të përfitojë edhe nga përvoja dhe sistemi i FSHF-së”, thuhet nga FFK-ja.