Në fund të këtij muaji përfaqësuesja e Kosovës do të grumbullohet për herë të parë këtë vit me përbërjen më të fortë. Tubimi për ndeshjen e parë të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve, që Kosova e luan në Itali kundër Moldavisë, do të mbahet në rrethana krejtësisht të tjera për shkak të përhapjes së pandemisë së koronavirusit.
Është paralajmëruar se do të ketë masa të ashpra, kufizime të lëvizjeve të lojtarëve, vizita të familjarëve të tyre e po ashtu në stadium gjatë stërvitjeve mund të mos ketë prani të shikuesve, me përjashtim të mediave që do t’i përcjellin aktivitetet e tyre në distancë. Këto do të jenë disa nga masat që pritet të respektohen gjatë grumbullimit. Por gjatë dhe para nisjes për në Itali, përkatësisht në qytetin Parma, ku edhe më 3 shtator, do të luhet ndeshja kundër Moldavisë, futbollistët e Kosovës do të jenë të obliguar t’u nënshtrohen testeve për koronavirus. Në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) nuk e dinë nëse testet e Kosovës do të jenë të pranueshme nga Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA). Për të marrë konfirmimin nëse i pranon apo jo, FFK-ja do t’i drejtohet me shkresë zyrtare gjatë këtyre ditëve UEFA-s. Kryetari i Komisionit Shëndetësor të FFK-së, Murat Berisha, thotë se i gjithë ky proces do të kalojë në koordinim me UEFA-n.
“Ne do t’i drejtohemi brenda javës me shkresë për ta pyetur UEFA-n nëse janë të pranueshme apo jo testimet e Kosovës për koronavirus. Gjithçka do të bëhet në koordinim me UEFA-n. Ne do ta presim konfirmimin e tyre nëse i pranojnë apo jo. Nëse jo, atëherë do të obligohemi t’i dërgojmë në ndonjë laborator të ndonjë shteti të pranueshëm nga UEFA. Por, sigurisht se të gjitha testet do të bëhen gjatë kohës sa do të jemi në grumbullim para udhëtimit për në Itali”, ka thënë Berisha, që është edhe doktori kryesor i “dardanëve”, të hënën për KOHËN.
E nëse UEFA nuk i njeh testet e Kosovës, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, thotë se kanë edhe planin B. Sipas tij, mostrat do të dërgohen në Gjermani apo Austri për testim.
“Do t’i marrim mostrat e të gjithë lojtarëve të përfaqësueses dhe do t’i dërgojmë në Gjermani apo Austri për testim, por për gjithçka do të merremi vesh me UEFA-n. Do ta shohim se si do të veprojmë, sepse është diçka që ne nuk e kemi provuar ende. Ne nuk e kemi ndërmend të veprojmë kokë më vete”, ka thënë Salihu
Në edicionin e ri të Ligës së Kombeve, që nis në muajin shtator, Kosova është në Grupin e tretë të Ligës C së bashku me Moldavinë, Slloveninë dhe Greqinë. Ndeshjen e parë Kosova e luan më 3 shtator si mysafire e Moldavisë, që tashmë ka marrë vendim që kjo përballje të zhvillohet në Itali, saktësisht në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmas. Stadiumi “Ennio Tardini” është shtëpia e ekipit nga Serie A, Parma dhe ka një kapacitet prej 27 mijë ulëseve. Ende nuk ka një vendim nëse tifozët do të lejohen të jenë të pranishëm në tribuna, ndonëse në FFK insistojnë se dueli ndaj Moldavisë në Itali do të zhvillohet me dyer të mbyllura. Por, gjasat janë minimale që të luhet me shikues.