FFK-ja reagon në UEFA për thirrjet e tifozëve serbë në Euro 2024

Prishtinë | 17 Qer 2024 | 10:59 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar zyrtarisht në UEFA për shkak të shfaqjes së flamujve, sloganeve dhe thirrjeve të tifozëve serbë me mesazhe politike, shoviniste dhe raciste kundër Kosovës, gjatë ndeshjes Serbi – Angli, në kuadër të Euro 2024, raporton Ekonomia Online.

“Shfaqja e papenguar e mesazheve dhe thirrjeve të tilla në një event madhështor si Euro 2024 është e pakuptimtë dhe absurde. Përmes thirrjeve të tilla dëshmohet urrejtja e mbjellë në opinionin publik në Serbi ndaj fqinjëve të saj. FFK në ankesën e paraqitur me dëshmitë e nevojshme në UEFA, ka kërkuar masa të rrepta disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, si recidiviste e rasteve të tilla. Njëkohësisht, kërkojmë vigjilencë nga organizatori për të evituar shfaqjen e banderolave të tilla në ndeshjet e ardhshme, pasi ato përbëjnë shkelje të rëndë të rregullave të UEFA-së”, thuhet në reagimin e FFK-së.

Me tutje shtëpia e futbollit të Kosovës, konsideron se thirrjet kundër shtetit të Kosovës në një event madhor si Euro 2024 janë motivim për grupet nacionaliste dhe kërcënojnë sigurinë, edhe ashtu të brishtë të rajonit.

“Federata e Futbollit të Kosovës qëndron fuqishëm në mbrojtje të vlerave të futbollit dhe promovimit të asaj që UEFA përfaqëson: unitet, gjithpërfshirje dhe pasion për lojën e futbollit, por njëherësh me vendosmëri mbron edhe dinjitetin e shtetit, që është krijuar me shumë mund e sakrificë. I bëjmë thirrje UEFA-së që persona me sjellje dhe filozofi të urrejtjes ndaj një populli dhe shteti tjetër të mos kenë vend në arenat e futbollit”, theksohet në njoftim.

Sipas FFK-së, futbolli dhe eventet e tilla si Euro 2024 nuk duhet t’u shërbejnë shovinistëve e racistëve për promovim të gjuhës së urrejtjes.

Të ngjashme