Kombëtarja U17 e Kosovës në hendboll (femrat) e ka luajtur të enjten ndeshjen e fundit në fazën grupore në kampionatin evropian, Divizioni B, që po mbahet në Itali. Vajzat tona kanë humbur nga Islanda, por kanë pasur paraqitjen bindshëm më të mirë deri më tani. Kështu synimi që ishte për këtë evropian, për të fituar përvojë dhe për të komponuar ekipin, po realizohet ngadalë.
Ky grup vajzash luan për herë të pare së bashku dhe në ndeshjet e deritashme e sidomos me Islandën, ka dhënë sinjale të mira. Islanda ka fituar të gjitha katër ndeshjet dhe ka kaluar në gjysmëfinale. Ndaj islandezeve, vajzat tona ishin rivale të barabarta. Madje e nisën ndeshjen shumë mirë dhe deri në minutën e dhjetë kishin epërsi prej dy golash. Por më pas kishte vështirësi në lojën tonë që u shfrytëzuan nga Islanda. Ndeshja përfundoi me rezultat 27:19 për Islandën.
Kosova U17 tani e ka edhe ndeshjen për vend të nëntë që e luan të shtunën nga ora 11:00 ndaj Azerbajxhanit. Ndaj Islandës është dalluar portierja Selvije Mollakadrija me shumë pritje, sidomos në fillim të takimit.
Më efikasja ishte Melisa Mulaj me tetë gola, që dirigjoi lojën tonë dhe u shpall më e mira e ndeshjes.
Islanda – Kosova 27:19 (12:8)
Kosova: F. Ferizaj, Lajçi 1, M. Mulaj 8, Maloku 1, E. Mulaj 4, Devçe, Istrefi 3, Nivokazi 2, Kurteshi, Salihu, Mollakdrija, E. Ferizaj, L. Ferizaj, Berisha