Federata Ndërkombëtare e Basketbollit ka uruar Kosovën për kalimin në fazën kualifikuese për Botërorin “Kina 2019”.
Kosova ka shënuar fitore historike ndaj Estonisë në Pallatin e Rinisë për ta siguruar plasmanin në ndeshjet kualifikuese për Botërorin “Kina 2019” në basketboll.
Kosova këtë përballje e fitoi me rezultat 75-69. Për këtë arritje historike “Dardanët” janë përgëzuar edhe nga FIBA.
“Mirë se vjen në kualifikimet për Kampionatin Botëror Kosovë”, është urimi i FIBA-s.
Një nga më meritorët për këtë kualifikim të Kosovës ishte kapiteni Dardan Berisha, i cili shënoi 28 pikë, 6 asiste dhe pati 4 kërcime. Ai u ndihmua nga Erjon Kastrati që shënoi 13 pikë.
Me këtë fitore Kosova ka përfunduar e dyta në Grupin C me dy fitore, duke eliminuar Maqedoninë, që kishte shënuar vetëm një fitore, atë ndaj Kosovës.