Kryeministri sllovak, Robert Fico, gjatë një takimi me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres në New York, ka thënë se Ballkani “sërish ka nisur të marrë flakë” dhe se duhet që disa shteteve të atij rajoni t’iu ofrohet e ardhmja evropiane, sepse, në të kundërtën, “sërish do të rritet nervozizmi”.
“Unë dhe sekretari i Përgjithshëm, ndiejmë se Ballkani sërish po nis të marrë flakë. Është me rëndësi që disa shteteve të atij rajoni t’iu ofrohet e ardhmja në BE, pasi që në të kundërtën sërish do të forcohej nervozizmi”, ka thënë Fico për agjencinë sllovake të lajmeve TASR.
Ai ka theksuar se Evropës i nevojiten po ashtu Kombet e Bashkuara të fuqishme, meqë Bashkimi Evropian nuk është sa duhet i fuqishëm që të angazhohet në disa kriza.
“Dua KB të fuqishme, sepse BE-ja nuk është sa duhet e fuqishme që të angazhohet në disa punë. BE-ja në thelb as nuk është e pranishme në Ukrainë. Nuk kemi kurrfarë ndikimi në zhvillimet në Siri”, është shprehur Fico.
Kryeministri i premtoi Guterresit se Sllovakia është e gatshme të mbështesë projekte konkrete të arsyeshme të KB në Evropë në krizën migratore, ashtu siç mbështet projekte të arsyeshme në BE.
Guterres ia prezantoi Ficos programin e ri të ndihmës për Libi e Itali, që emigrantet të ndalen jashtë kufijve evropianë ndërsa t’u ndihmohet që të kthehen në shtëpitë e tyre dhe që atje të përmirësohen kushtet e tyre, ku vendet e Katërshes së Vishegradit do të investojnë 36 milionë euro në Fondin për Libinë në bashkëpunim me Italinë.
“Duhet edhe më tutje të realizojmë projekte jashtë BE-së dhe njëherësh të sanojmë problemin e migrimit edhe në vendet e treta”, është shprehur Fico.