Fidan Aliti huazohet te Zuerichu

Prishtinë | 02 Tet 2020 | 19:00 | Nga Ekonomia Online

Mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës, Fidan Aliti do të vazhdojë karrierën në Superligën e Zvicrës. Aliti të premten është huazuar nga Kalmari suedez te Zuerichu. Sipas njoftimit të Kalmarit, Aliti ka kërkuar për kohë të gjatë që të jetë më afër familjes në Zvicër.

Kalmari e ka huazuar Alitin deri më 31 maj të vitit të ardhshëm, ndërsa opsioni është për transferim të plotë të tij te klubi zviceran. Ai prej fillimit të vitit të kaluar ishte te Kalmari. Aliti është lojtar i rëndësishëm i Kosovës.

“Ne kemi punuar shumë për të gjetur një huazim që ai të jetë më afër familjes. Pas një periudhë të shkurtër diskutimi, ne jemi marrë vesh me Zuerichun për një zgjidhje që po ashtu do të jetë e mirë financiarisht për Kalmarin. Fidani do të jetë gati të luaj menjëherë dhe ne i dëshirojmë fat”, ka theksuar Joergen Petersson, menaxher sportiv te Kalmar FF.

“Fidani është mbrojtës i fortë, i cili luan kryesisht në anën e majtë. Do ta forcoj edhe më tej mbrojtjen e skuadrës sonë. Ai i përshtatet Zuerichut edhe si futbollist edhe me personalitetin që ka”, ka theksuar Marinkon Jurendiq, drejtor sportiv i Zuerichut.

Të ngjashme