FIFA ka të ditur sot se ka dënuar 11 federata të ndryshme botërore për sjelljen e papërshtatshme të tifozëve të tyre gjatë kualifikueseve të Botërorit 2018 dhe mes tyre nuk mungonte emri i Shqipërisë.
Institucioni që drejton futbollin botëror ka vendosur të gjobitë me 50 mijë franga zvicerane FSHF-në, për shkak të ngjarjeve në stadiumin “Loro Boriçi” që kanë lidhje me tifozët.
Gjoba prej 50 mijë frangash për Shqipërinë është dhënë për “sjellje të papërshtatshme mes grupit të vet të tifozëve (përfshihen kthimi i kurrizit dhe vërshëllimat për himnin kombëtar kundërshtar, ndezja e fishekzjarrëve, përdorimi i lazerit, shpalosja e sloganeve dhe parullave politike).
Sipas vendimit të UEFA-s, përveç gjobës prej 50 mijë frangash zvicerane, Shqipëria ka marrë edhe një “tërheqje vëmendjeje dhe një paralajmërim” që do të thotë se kjo masë mund të përshkallëzohet në të ardhmen dhe rrezikohet seriozisht zhvillimi i ndeshjeve pa tifozë.
Ndërkaq, për sjelljen e pahijshme të tifozëve maqedonas në momentin e himnit shqiptar, FIFA thjesht i ka dhënë një paralajmërim Federatës Maqedonase.