Në kuadër të organizimeve në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, në Prishtinë u hap një ekspozitë me 55 portrete të heroit kombëtar të shqiptarëve.
Në këtë ekspozitë morën pjesë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, homologu u tij nga Maqedonia, Talat Xhaferi; kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj; piktorë, artistë e personalitete të tjera të jetës kulturore, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj, në një fjalë rasti, u shpreh se një formë për të kujtuar veprën e Skenderbeut është kjo përmes artit.
“Në këtë moment na ka bashkuar një vlerë e cila na ka bërë krenar të gjithë neve, është heroi ynë kombëtar Gjergj Kastritoi Skënderbeu. Jemi në ditën kur ai mbylli sytë, kur u nda fizikisht nga ata që i deshi shumë, nga populli i vet shqiptar, por që nga atëherë jeton me ne, veprat e tij na mbajtën gjallë sot, shumë vitë më vonë e shekuj ndodhi ajo aleancë prej tij, në atë kohë ku perëndimi u vu në mbrojtje të popullit të tij në luftën e UÇK-së”.
“Kemi shumë mënyra për të lartësuar veprën e heroit tonë kombëtar, formë e çmuar për ta kujtuar është përmes artit”, ka thënë Haradinaj.
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, tha se me rastin e vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut dhe vdekjes se tij, parlamenti maqedonas ka përkujtuar me një akademi.
“Parlamenti i qeverisë maqedonase për shënimin e datave të veçanta ka përfshrë 550 vjetorin e vdekjes së tij që i bashkangjitemi projektit të vitit të Skënderbeut. Në parlament kemi pas akademi përkujtimore, kujtimi për të është më i madh sesa që mund të llogaritet humbja fizike e tij”.
“Në bashkëpunim me postën e Maqedonisë, është vënë në qarkullim pulla postare me fytyrën e heroit tonë kombëtar që pas miratimit të ligjit për gjuhë edhe pse nuk është i dekretuar, kjo pullë postare është në dy gjuhë, do të vazhdojmë që të shënojmë datat që identifikojnë identitetin tonë kombëtar”, u shpreh Xhaferi.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, theksoi se Skënderbeu ka arrit të bashkojë shqiptarët dhe ta mbrojë Evropën.
Veseli tha se të gjitha kohërat edhe pas Skënderbeut sjellën lirinë e vendit, duke përfshirë edhe luftën e UÇK-së, por që sipas Veselit nuk duhet hedhur baltë mbi këtë luftë.
“Janë 550 vjet rrugëtim të shqiptarëve pas heroit tonë kombëtar, ai ka arrit fuqishëm të bashkojë shqiptarët dhe ta mbrojë Evropën, 550 vite sakrificë, jemi duke vazhduar traditën por më suksesshëm, të gjitha ato kohëra na kanë sjell liri por edhe lufta e UÇK-së na ka sjellë lirinë, duhet ta kujtojmë këtë luftë, askënd nuk duhet ta lejojmë me hedh baltë mbi luftën e UÇK-së, edhe pse mes veti kemi mëri e xhelozi”, ka thënë Veseli.