Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Ferizaj ka nisur vizitat sistematike nëpër shkollat fillore të kësaj komune, me qëllim të identifikimit të problemeve të ndryshme shëndetësore tek nxënësit e klasës së parë dhe të klasës së pestë.
Po ashtu, ky projekt i QKMF-së ka për qëllim vlerësimin e parametrave të rritjes, zhvillimit, defekteve të boshtit kurrizor, higjienës, ekzaminimit oftalmologjik, ekzaminimit të dëgjimit, traktit të sipërm dhe të poshtëm respirator, abdomenit dhe patologjive të tjera, si dhe vizitat sistematike për shëndet oral, shkruan sot “Koha Ditore”.
Drejtoresha e QKMF-së në Ferizaj , Nadire Ymeri, ka thënë se është formuar një ekip i veçantë për edukim dhe promovim shëndetësor nëpër shkollat fillore të kësaj komune. Sipas saj me këtë projekt kanë nisë në shkollën fillore në fshatin Balaj për të vazhduar më pastaj gradualisht edhe nëpër shkolla të tjera të kësaj komune.
“Në kuadër të secilës Qendër të Mjekësisë Familjare i kemi nga 2 apo 3 veta si staf profesional, të cilët po merren me këtë aktivitet. Ky ekip punon edhe me pacientë gjatë orarit të tyre të punës, ndërkohë sipas planifikimeve merren edhe me vizita sistematike nëpër shkolla, pra punët në QKMF nuk mbeten keq derisa po realizohet ky projekt në terren”, ka thënë Ymeri. Ajo ka shtuar se stafi mjekësor i terrenit tashmë është i kompletuar edhe me pajisje adekuate për t’i realizuar këto aktivitete.