Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, dekani i Fakultetit të Arkitekturës, Lulzim Beqiri dhe dekani i Inxhinierisë së Ndërtimit Prof. dr Muhamet Ahmeti, kanë pritur në takim kryetaren e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.
Me këtë rast, rektori Hajrizi dhe kryetarja Kusari- Lila kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, e cila ofron mundësi bashkëpunimi në fusha të ndryshme, me theks të veçantë në kontributin që do ta ofrojë UBT, për zhvillimin e komunës së Gjakovës.
Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit me komunat e Kosovës, Hajrizi tha se kjo marrëveshje ka për qëllim sigurimin e programeve të përbashkëta të bashkëpunimit, në zhvillimin dhe implementimin e programeve për zhvillim ekonomik dhe industrial të komunës së Gjakovës, si dhe në organizimin e aktiviteteve të tjera të interesit të dyanshëm.
“UBT do ta ndihmojë komunën e Gjakovës në dhënien e ekspertizës profesionale, me qëllim të arritjes së një shkalle të suksesshme të ndërtimit të kapaciteteve institucionale, në planifikim urban të Gjakovës, si dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta”, theksoi rektori ai.
Në anën tjetër, kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari –Lila shprehu gatishmërinë e komunës, që ajo e drejton, për të mbështetur projektet e përbashkëta, që do të iniciohen në vazhdim.
Iniciativën për këtë bashkëpunim e kanë filluar përgjegjësi i zyrës së projekteve Burim Meqa dhe Prodekani i Inxhinierisë së Ndërtimit, Visar Krelani.
Me kryetaren Kusari- Lika, rektori Hajrizi, dhe dekani Beqiri kanë diskutuar edhe për projektin e Modernizmit në Gjakovë, projekt ky i ngjashëm me atë që UBT e ka finalizuar në komunën e Ferizajt.