Ka filluar sot realizimi i projektit për zgjerimin e shtratit të lumit Mirusha, në fshatin Turjakë të Komunës së Malishevës.
“Zgjerimi i shtratit të lumit, ishte nevojë e domosdoshme, në mënyrë që të parandalohen vërshimet që shkaktohen nga rrjedha e lumit, ku si pasojë shumë toka bujqësore mbesin të pa shfrytëzuara”, thuhet në kumtesën e komunës.
Punimet në zgjerimin e shtratit të lumit, i ka parë nga afër edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha.
Nënkryetari Berisha, i shoqëruar edhe nga drejtori i inspektoratit, Dibran Kastrati, janë njoftuar me punimet që janë kryer deri më tani, në pjesën më kritike të shtratit të lumit.
“Si pasojë e rritjes së nivelit të ujit në sezonin e dimrit, lumi Mirusha, në këtë pjesë të Turjakës, kishte dalë nga shtrati, duke e devijuar rrjedhën e tij, dhe si pasojë një pjesë e madhe e tokës bujqësore dhe livadheve, kishte mbetur e pashfrytëzuar deri më tani”.
“Pas zgjerimit të shtratit, nga tani lumi është kthyer në rrjedhën normale të tij, ndërsa tokat në atë pjesë, kanë filluar të thahen dhe të jenë përsëri të shfrytëzueshme nga pronarët”
“Zgjerimi i shtratit të lumit Mirusha, do të vazhdojë të bëhet edhe në pjesët tjera në këtë fshat, me qëllim të parandalimit të vërshimeve, dëmtimit të tokës bujqësore dhe rrugës së fshatit”.