Fillon gara për ide biznesi të gjelbëra dhe inovative

Prishtinë | 20 Pri 2018 | 16:30 | Nga

Grupe të rinjsh kosovar po garojnë në Prishtinë me idetë dhe biznes planin e tyre për zhvillimin e ekonomisë së gjelbër.

Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) dhe UNICEF Innovations Lab Kosovo kanë zgjedhur dhjetë idetë me më së shumti potencial për të marrë pjesë në garën-punëtorinë “UPSHIFT & Ide të gjelbëra dhe Inovative 2018”, që ka filluar të mbahet në Prishtinë.

Në punëtorinë tre ditore, pjesëmarrësit do të zhvillojnë idetë dhe biznes planin e tyre nëpërmjet mentorimit që do ta marrin përgjatë programit. Në fund të punëtorisë do të vlerësohen 5 ide-biznese me grante deri në 2000 euro, prej tyre, tri bizneset me më së shumti potencial do të marrin pjesë në garën rajonale për ide biznese të gjelbëra dhe inovative 2018.

Drejtoresha ekzekutive e FIQ-it Dajana Berisha në hapjen e kësaj gare ka thënë se fokusi i organizatës është që të përkrahet Kosova si shtet i ri, që po ashtu ka edhe me numrin më të madh të të rinjëve. Prandaj, ajo ka theksuar se përkrahja për një zhvillim të qëndrueshëm duhet të përqëndrohet tek të rinjët që kanë potencial për ndërtim biznesesh të cilat ndihmojnë ekonominë.

Ndërkaq, Bujar Fejzullahu drejtor i organizatës PEN, parntere në mbajtjen e punëtorisë “UPSHIFT & Ide të gjelbëra dhe Inovative 2018” ka thënë se projektet që ka mundësi të bëhen biznese do të marrin përkrahje.

Fituesit e garës “UPSHIFT & Ide të gjelbëra dhe Inovative 2018” do të shpallen të dielën.

Gara Rajonale mbështetet prej Balkan Green Foundation & Rockefeller Brothers Fund dhe çmimi për tre fituesit në nivel rajonal është 10 mijë dollarë.

Kosova vjet ka fituar me Platformën “Akademi” të Besart Kunushevcit. Sivjet gara rajonale do të mbahet në Maqedoni në fund të muajit korrikut.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme