Në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, u mbajt takimi i parë i Grupit Punues për hartimin e projektligjit për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme.
Në prezencën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dy zëvendësministrave, Blerim Sallahu dhe Nita Shala si dhe anëtarëve të tjerë të kabinetit, kryesuesi i këtij takimi z. Isuf Jahmurataj shprehu mirëseardhje anëtarëve të këtij grupi, duke iu uruar mbarësi në vazhdimësi të punëve drejt hartimit të projektligjit për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shprehu falënderimet ndaj anëtarëve të Grupit Punues, gjegjësisht përfaqësueseve nga shoqëritë civile, institucionet relevante të drejtësisë dhe partnerëve strategjik ndërkombëtarë, për vullnetin që të kontribuojnë në këtë drejtim, drejt forcimit të ligjit dhe drejtësisë në Republikën e Kosovës.
Ministrja Haxhiu duke theksuar nevojën e domosdoshme për hartimin e këtij projektligji, theksoi se tashmë jemi vonuar në drejtim të kompletimit të pakos ligjore kundër korrupsionit me qëllim të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Sipas Ministres së Drejtësisë, ky rregullim nuk ka treguar apo dëshmuar sukses në luftimin e pasurimit të paligjshëm pasi që aktualisht me legjislacionin në fuqi në çdo rast kushtëzohet konfiskimi i pasurisë së përfituar përmes aktivitetit kriminal me zhvillimin e procedurës penale që ndërlidhet me kryerjen e një vepre penale, gjë që paraqet pengesë juridike që krimi i organizuar të luftohet në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Në fjalimin e saj, Ministrja Haxhiu u zotua personalisht që me të gjitha kapacitetet intelektuale dhe mekanizmave të Ministrisë së Drejtësisë, do jetë në përkushtim të plotë për të jetësuar forcimin dhe zbatimin e ligjit, si dhe inkurajoi anëtarët e Grupit Punues për angazhim të pakursyer në mënyrë që bashkërisht të konsiderojmë se korniza ligjore duhet të jetë në shërbim të interesit të përgjithshëm shoqërorë, me qëllim të mbrojtjes së vlerave shoqërore si dhe garantimin e sigurisë dhe rendit publik për shoqërinë dhe individin si një tërësi komplementare.
Tutje në takim, është bërë prezantimi i planit të punës nga z. Isuf Jahmurataj – Kryesues i Grupit Punues, i cili pritet të përfundohet brenda vitit.
Në anën tjetër të pranishmit në takim, përfaqësues nga institucionet dhe organizatat vendore dhe ndërkombëtare, fillimisht u deklaruan për nevojën e bashkëpunimit dhe konsultimit për disa çështje kryesore si: organin kompetent për konfiskim, fushëveprimin e ligjit e të tjerë, si dhe shprehën vullnetin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe kontribuar në këtë proces të rëndësishëm reformues në sistemin e drejtësisë.
Në fund të takimit, anëtarët e Grupit Punues, u dakorduan rreth planit të punës dhe formatin mbi bazën e të cilit do të hartohet ky projektligj.