Në Prishtinë është mbajtur takimi i katërt i aktorëve të hisedarëve të projektit GEF të lumit Drin, i cili ka për qëllim rregullimin e pellgut në të gjitha shtetet nëpër të cilat përshkon ky lum.
Pjesëmarrësit në këtë takim u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit në mënyrë që ky projekt që cilësohet tejet i rëndësishëm për ruajtjen e mjedisit të jetësohet sa më parë.
Naser Bajraktari, drejtor i Departamenti të Ujërave në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, (MMPH) ka thënë për Ekonomia Online, se tanimë ka filluar implementimi i projektit për lumin Drin.
Ai tha se të gjithë aktorët në një formë ose tjetrën janë të informuar për ruajtjen dhe shfrytëzimin e resurseve ujore.
“Ministria e Mjedisit ka filluar me implementimin e këtyre përgjegjësive të cilat i kemi marrë, pra në hartimin e planit menaxhues për Drinin e Bardh, ku kemi edhe përkrahjen e SIDA-s. Ky plan është i harmonizuar me vendet e tjera të cilat i përshkon Drini i Bardh me një afat i cili i përmbush edhe obligimet të cilat i kemi marrë”, ka thënë Bajraktari.
Stevo Temelkovski, zëvendësministër i Planifikimit Hapësinor në Maqedoni tha se ky projekt është i rëndësishëm si në aspektin politik ashtu dhe shoqëror.
“Gjatë takimeve tona që i kemi e kuptojmë se sa i rëndësishëm është ky projekt. Ky do të na ndihmojë në krijimin e këtij pellgu. Jemi pajtuar që të mbrojmë këtë projekt për pellgun e Drinit, jemi të pajtimit që kjo pjesë e resurseve të mbrohet në mënyrë që të zhvillojmë më shumë këtë pjesë”, tha Temelkovski.
Alessandra Roccasalvo nga UNDP-ja tha se mbrojtja mjedisore është diçka që në të kaluarën nuk ka qenë asnjëherë në agjendën institucionale.
“Mbrojtja mjedisore është diçka që në të kaluarën nuk ka qenë në ballë të agjendave dhe kjo duhet të jetë tema e viteve që do të vijnë. Cilësia e ajrit dhe ujit janë duke u bërë gjërat më të rëndësishme kjo është një gjë që qofshin politikanë, qytetarë apo kushdo tjetër, sepse të gjithë prekemi nga mbrojtja dhe ndotja e ambientit që duhet t’i kemi parasysh”, tha përfaqësuesja e UNDP-së.
Dimitri Mamalev përfaqësues nga shteti i Greqisë ka treguar se ministrinë e tyre të Planifikimit Hapësinor kanë pesë sekretariate të cilat ndahen në konventa të ndryshme, e të cilat janë të gjitha për resurset natyrore.
“Kemi pesë sekretariate që merren me resurset natyrore në vendet e ndryshme këto janë konventa të ujërave të cilat kryesisht janë mbi ujërat e zeza dhe planifikimin e këtyre ujërave”, ka thënë Mamalev.
Projekti GEF për lumin Drin vjen si vazhdim logjik i deklaratës së Drinit, të procesit të Dialogut të Drinit i filluar në vitin 2009 dhe i Memorandumit për vizionin e përbashkët të pesë shteteve i nënshkruar në vitin 2011 që është kornizë e tërë procesit.
Agjenci zbatuese do të jetë UNDP-ja, ndërsa bartës të aktiviteteve janë Ministritë kompetente për mjedisin jetësor nga të gjitha shtetet e përfshira.