Ka filluar implementimi i projektit “Ndërtimi i Ujësjellësit” në 10 fshatra të komunës së Skënderajt: Rezallë, Abri e Poshtme, Aqarevë, Likoc, Llaushë, Marinë, Makermal, Murgë, Plluzhinë dhe Ticë, nga i cili do të përfitojnë gjithsej 12364 banorë.
Ky është donacion i qeverisë zvicerane dhe i Qeverisë së Kosovës kurse Implementohet nga CDI – ja dhe ka një vlerë rreth 1.4 milion euro.
Për të parë nga afër realizimin e punimeve sot kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, së bashku me përfaqësuesin e CDI-së, Lavdim Osmanaj, menaxherin e njësisë në Skenderaj të KRU-së Mitrovica, Ilaz Halili, kanë bërë inspektime në fshatin Rezallë, ku kanë filluar punimet në ndërtimin e rezervarit të parë me vëllim 320 metra kub, në shtrirjen e rrjetit dhe rezervarit të dytë në këtë fshat me vëllim 400 metra kub.
Me këtë rast Jashari ka falënderuar donatorët për realizimin e këtij projektit, që sipas tij, është jetik për qytetarët e këtyre fshatrave të cilët deri më tani kanë pasur vështirësi të mëdha në sigurimin e ujit të pijshëm.
Ai tutje ka deklaruar që do të kërkojë përkrahje dhe nga Qeveria që ky projekt të përfundojë sa më shpejt për të mos pasur vonesa sikurse me kyçjet individuale në 12 fshatrat e kësaj komune.
“Krahas këtij projekti, duke marrë parasysh mungesën e ujit të pijshëm dhe rezervave ujore në komunën tonë, kam kërkuar vazhdimisht dhe prapë do të kërkoj nga qeveria dhe donatorët që sa ma shpejtë të fillojmë më realizimin e projektit “Ndërtimi i pendës së Kuqicës”, pasi që vetëm atëherë do të kemi rezerva të mjaftueshme ujore për ujë të pijshëm dhe ujë për bujqësi dhe mundësi për rekreacion e turizëm”, ka thënë Jashari.
Jashari gjithashtu ka deklaruar se këtë vit do të përfundojnë projektin e kyçjeve individuale në 12 fshatra.