Partia Sociademokrate (PSD) ka organizuar shtunën një protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Me mbishkrimet, ”Ju e rrisni çmimin, ne rezistencën”, “Krejt rrogat në rrymë”, “Krejt dhe shtrenjtë”, “Lypëm dritë, gjetëm terr” dhe thirrjet “Populli i bashkuar ka për të fituar”, qytetarët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për tarifat e reja të energjisë.
Sekretari Organizativ i PSD-së, Nol Nushi, ka thënë se po shihet se zemërimi i qytetarëve është masiv.
“Protesta është shumë e madhe. Po e shihni zemërimin qytetar”, tha Nushi.
Ndërsa, Nusret Azemi, qytetar nga Fushë-Kosova, tha se shtrenjtimi i rrymës është goditje e madhe për popullin shqiptar, duke shtuar se po shkelet kushtetuta e Kosovës.
“Sot kemi dalë për shumë arsye. Shtrenjtimi i rrymës është goditje për popullin shqiptar sepse shkelet kushtetuta. Le të jemi të gjithë të barabartë. I ka marrë votat. Sot bashkëluftëtarët e mi vdesin nga mërzia dhe skamja sepse kemi luftuar për mirëqenie. Nuk e paguan rrymën vjen të shtinë në burg. Kurti e ka humbur rrugën…”
“Unë nuk ia japë paratë turkut, privatit. Apel le të kthjelle (Kurti) sepse ndryshe i vjen fundi”, tha Azemi.