Ka filluar trajnimi tre ditor për aftësitë ligjore të prokurorëve nga rajoni i Mitrovicës, mbështetur nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) dhe Akademia e Drejtësisë së Kosovës, e në të cilin po marrin pjesë Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, prokurorja nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë Shyqyri Syla, si dhe prokurorët dhe stafi i kësaj prokurorie.
Në fjalimin e hapjes të pranishmëve me një fjalë rasti u është drejtuar Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, i cili vlerësoi punën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, harmoninë ndër kolegiale dhe ndër njerëzore në të cilën funksionon kjo prokurori, rezultatet e arritura deri sot, si dhe kërkoi nga prokurorët e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, angazhim dhe punë të vazhdueshme në kryerjen e obligimeve të përditshme në këtë institucion.
Në këtë trajnim në cilësinë e ligjëruesit po ligjërojnë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shyqyri Syla, si dhe prokurorja nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit Laura Pula.
Njëra ndër temat e ligjëruara nga Kryeprokurori Shyqyri Syla është “Sfidat e përditshme të prokurorëve nga rajoni i Mitrovicës para dhe pas integrimit”, në të cilën fillimisht janë theksuar problemet me të cilat është përballur kjo prokurori, që nga paslufta si prokurori emergjente. Pastaj si sfidë në vete ka qenë funksionimi i kësaj prokurorie prej 10 viteve pas shpalljes së pavarësisë në 2 zyre në Vushtrri me staf prej 40 personash, e deri tek kalimi në zyret e reja në Lagjen e Boshnjakëve, si dhe, integrimi i komunitetit serb.
Gjithashtu, kryeprokurori Syla ka thënë se, si rezultat i mirë funksionimit të kësaj prokurorie, vetëm në vitin 2018 kemi trajtuar rreth 27 mijë lëndë, që do të thotë se kemi pasur një sukses të madh në këtë prokurori. Kryeprokurori Syla, për këto arritje ka falenderuar stafin dhe prokurorët e kësaj prokurorie, e posaçërisht Kryeprokurorin e Shtetit Aleksandër Lumezi si dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, përkrahja e të cilëve e ka lehtësuar punën e institucionit të cilin ai e drejton.
Prokurorja në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula, ka ligjëruar temën për ndryshimet në Kodin e Ri Penal të Republikës së Kosovës, me theks të veçantë Dispozitat e reja të Kodit Penal – “vështrim i përgjithshëm”, “Dhuna në familje dhe ngacmimi seksual”.
Në ditët në vijim ligjëruesit Syla dhe Pula do të ligjërojnë për “Masat për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurën penale”, si dhe Dispozitat e reja të Kodit Penal sa i përket “Korrupsionit Zyrtar dhe Veprave Penale Kundër Detyrimeve Zyrtare”, “Sfidat në ndjekjen penale të abuzimit të detyrës zyrtare ose autoritetit, konfliktit të interest dhe shpërdorimit të detyrës”, dhe do të ketë diskutime tjera nga të pranishmit.
Në fund të trajnimit tre ditor do të nxjerrët përmbledhje e diskutimeve dhe konkluzioneve të këtij trajnimi, i cili do t`i ndihmojë prokurorëve të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë në kryerjen e punëve të përditshme.