Ndonëse sot në mënyrë të rregullt do të fillojë mësimi në të gjitha komunat e Kosovës, prej orës 08:00 do të mbahet një protestë në Karaqevë të Poshtme në komunën e Kamenicës, me të cilën kundërshtohet vendimi i Komunës së Kamenicës për mbylljen e shkollave, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar sot do të fillojnë vitin e ri shkollor 2019 – 2020. Ndonëse janë paralajmëruar greva e protesta për shkak të reformës së vendosur në Komunën e Kamenicës, sot do të mbahet mësim në gjithë vendin, duke përfshirë këtu edhe komunën e Kamenicës.
Mijëra shkollarë do tu kthehen bankave të tyre, ndonëse ka kritika që edhe ky vit shkollor po përcillet me probleme.
Vetëm në komunën e Prishtinës 43 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta, si dhe 13 shkolla të mesme të larta me rreth 42 mijë nxënës do ta fillojnë procesin mësimor. Nga kjo Komunë janë shprehur se janë përgatitur për vitin e ri shkollor.