Rock bendi britanik “Queen” ka shitur më shumë albume në Amerikën e Veriut sesa çdo artist tjetër në gjysmën e parë të vitit 2019, ndërkohë që muzika e shfaqur në filma dhe televizione i ngriti shifrat e streamingut dhe shkarkimeve në qiell.
Një raport gjysmëvjeçar nga Nielsen Music, i publikuar të enjten, tha se kolona zanore e muzikorit “Bohemian Rhapsody”, i cili i fitoi katër “Oscarë” në shkurt, ishte kënga më e shitur rock gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2019, ndërsa kompilacioni “Greatest Hits 1 i Queen” vjen në vendin e dytë.
“Queen” i ka shitur më shumë se 731.000 albume – më shumë se çdo artist tjetër – si dhe më së shumti këngë digjitale me më shumë se 1.3 milionë shkarkime, tha Nielsen.
“Queen” në shkurt u bë rock bendi i parë që e hapi ceremoninë për Oscar kur e filloi ceremoninë vjetore në Hollywood me një performancë live të We Will Rock You dhe We Are the Champions, shkruan KOHA Ditore.
Performanca e “nxehtë” e Lady Gaga dhe aktorit-regjisorit Bradley Cooper në skenën e “Oscarit” për duetin e tyre fitues Shallow nga A Star is Born gjithashtu i rriti shitjet. Balada romantike i ka pasur 648.000 shkarkime të versionit digjital deri më tani sivjet, tha raporti.
Biopiku i Elton Johnit “Rocketman” e pati një rritje prej 138% në shitjet e albumeve për kantautorin britanik në javën e parë pas shfaqjes së filmit më 31 maj.
Bashkëpunimi i reperit Post Malone me Swae Lee për këngën Sunflower arriti në krye të top listës Billboard Hot 100 në janar pasi u paraqit në filmin e animuar “Spider-Man: Into the Spider-Verse”.
Kënga e pati një rritje prej 170% në radiotransmetime, ndërsa videoja është shikuar më shumë se 642 milionë herë në YouTube.