Filmi dokumentar i postuar në kanalin e kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny, në YouTube, ka kaluar 100 milionë shikime dhe kjo mund të ndikojë në rritjen e zemëratës te rusët.
Ekipi i opozitarit kryesor rus, publikoi dokumentarin gati 2-orësh ku flitet për një pallat në vlerë 1.12 miliardë euro i ngritur buzë Detit të Zi, e i cili, sipas tij, i takon presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Zyrtarët në Moskë kanë mohuar se pallati i takon Putinit.
Ky film dokumentar dhe arrestimi i Navalnyt, pas kthimit nga Gjermania ku ishte për shërim për shkak të helmimit me agjentin nervor Noviçok, pritet të shtyjnë rusët edhe më shumë të protestojnë kundër Putinit.
Javën e kaluar u mbajtën protesta në shumë qytete të Rusisë në mbështetje të Navalnyt, e për këtë fundjavë janë paralajmëruar protesta të reja.
Në protestat e javës së shkuar u arrestuan mbi 4.000 persona, përfshirë edhe bashkëshorten dhe njerëzit e afërt të Navalnyt.
Në filmin dokumentar thuhet se pallati i Putinit ka 18.000 metra katrorë. Sipas autorëve të filmit, pjesa përreth pallatit është 40 herë më e madhe se Principata e Monakos. Në dokumentar thuhet se ngritjen e pallatit e kanë financuar dy kompani shtetërore, Rosneft dhe Transneft, që udhëhiqen nga njerëzit e afërt të Putinit, Igor Sechin dhe Nikloaly Tokarev.
Navalny akuzon Moskën zyrtare për helmimin muaj më parë. Ai është kthyer në Rusi më 17 janar dhe menjëherë është burgosur. Në Gjermani ishte për shërim.
Moska zyrtare thotë se Navalny ishte i dënuar me 3 vjet e gjysmë me kusht për përvetësim të paligjshëm të fondeve, gjë që sipas ekipit të opozitarit shihet e kurdisur.
Putin udhëheq me Rusinë herë si president e herë si kryeministër tash e 20 vjet. Politika e tij është vlerësuar ndër vite gati si diktatoriale, duke mos kursyer as kundërshtarët politikë.