Filmi debutues “Zgjoi” nga Blerta Basholli u shfaq premierë në “Sundance Film Festival”.
Filmi debutues nga Blerta Basholli, “Zgjoi”, u shfaq premierë në edicionin e sivjetshëm virtual të “Sundance Film Festival”, i cili është festivali më i madh i filmit të pavarur në SHBA, shkruan lajmi.net.
Ky film kosovar u shfaq në kuadër të konkurrencës kryesore të festivalit – “World Cinema Dramatic Competition”.
Frymëzuar nga një histori e vërtetë, “Zgjoi” është “një vështrim fuqizues i një gruaje që përballet me humbjen e burrit”, siç e përshkruan “IndieWire”. Përderisa është në kërkim të burrit të humbur gjatë luftës, Fahrija (interpretuar nga aktorja Yllka Gashi) sfidon banorët e fshatit konservator, të cilët janë të palëkundur në rolet tradicionale dhe pritjet patriarka
Në film Yllka shpërfill fyerjet, thashethemet, madje edhe sulmet fizike për të fuqizuar një komunitet të grave që të jenë të pavarura dhe të punojnë për të mbijetuar bashkë.
Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj; me producent Yll Ukën, drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë Valon Bajgorën, Agon Ukën, Brita Rindelaubin, Kristijan Burovskin, Tomi Salkovskin dhe Paskal Seminin.
“Zgjoi” është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicërr), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga “Industria Film” dhe “Ikonë Studio”, me bashkëprodhim nga “Alva Film Production”, “Black Cat Production”, “AlbaSky”, “Swiss National TV”, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka “LevelK”.