Një hulumtim ka zbardhur një skemë tjetër të mundësisë së keqpërdorimeve me testet Covid-19. Skema dëshmon një formë tjetër prej asaj që deri më tani Policia e Kosovës ka arritur të zbuloj me aksionet për arrestimin e disa dizajnerëve dhe pronarëve të fotokopjeve apo laboratorëve ku falsifikoheshin testet.
Vendimi i Qeverisë së Kosovë që të gjithë qytetarët e Kosovës që udhëtojnë jashtë vendit nëpërmjet aeroportit të Prishtinës duhet të jenë të pajisur me testin PCR të Covid-19 është shfrytëzuar për të ndërtuar një skemë të falsifikimeve dhe keqpërdorimeve të rezultateve të këtyre testeve.
Në korrik të 2020 Ministria e Shëndetësisë licencoj disa laboratorë për të kryer teste të Covid-19 ndërsa i ndaloj Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik që të realizoj teste për udhëtim.
Së fundi mediat zvicerane raportuan se një pjesë e qytetarëve nga Kosova udhëtuan duke përdorur teste të falsifikuara.
Por si u shfrytëzua privatizimi për falsifikime?
Vendimi për të privatizuar testet e udhëtimit u shoqërua me afera të keqpërdorimeve. Ministria e shëndetësisë nuk u ka ofruar laboratorëve private mekanizma të sigurisë për testet ndërsa në kufi nuk u kërkua as kuponi fiskal që do dëshmonte se testet janë kryer në një institucion të licencuar.
Të paktën 10 persona janë arrestuar në javët e fundit në vend për dyshimet për falsifikime të rezultateve. Personat ishin kryesisht dizajnerë dhe persona që punonin në fotokopje ku shiteshin rezultatet.
Një hulumtim i Kallxo.com ka zbardhur probleme të tjera në keqpërdorimin e mënyrës së testimit.
Në korrik të këtij viti portali ka pranuar informacionin se një laborator në qytetin e Vushtrrisë ka zhvilluar një format interesant ku mostrat merreshin një ditë ndërsa datat e rezultateve shënoheshin sipas kërkesës së qytetarëve në ditën kur ata udhëtojnë.
Hulumtimi i filmuar tregon se si gazetarja dakordohet me laboratorin në Vushtrri për datën e testit për COVID-19 edhe pse data e shënuar në rezultat do duhej të ishte ajo e ditës kur pacienti testohet.
Gazetarja kërkon që testi të mbaj datën 3 gusht ndonëse nuk mund të jep mostrën po atë ditë.
“Po mua po më duhet për të martën me qenë data (3 gusht) , por që të martën nuk mundem me qenë anej për me jep mostrën”, thotë gazetarja.