Finalistët e thyer kërkojnë Kupën për të shpëtuar sezonin

Prishtinë | 26 Maj 2018 | 09:45 | Nga

E rëndë ishte java e fundit për dy prej klubeve me traditën më të pasur në futbollin kosovar, Prishtinën e Vëllaznimin.

Prishtina, që ka vite që po pret për titull kampioni, të dielën nuk mori fitoren ndaj Dritës që i duhej për të fituar titullin në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Barazoi pa gola dhe kështu Drita e Gjilanit u shpall kampione.

Pos kësaj dy lojtarët me përvojën më të madhe të Prishtinës, Debatik Curri dhe Armend Dallku u ndëshkuan me kartonë të kuq për shkak të ndërhyrjeve të ashpra, përkatësisht goditjeve ndaj lojtarëve kundërshtarë. Një tjetër lojtar i Prishtinës, Shqipërim Taipi, mori karton të verdhë dhe e humbi të drejtën e lojës në takimin e radhës, shkruan sot Koha Ditore.

Edhe më rëndë ishte për Vëllaznimin e Gjakovës, klubi me traditë dhe me përkrahje të madhe të tifozëve. Pasi gjakovarët ishin pajtuar për të luajtur në barazh, befasisht morën dy fitore e një barazim dhe patën rastin që në ndeshjen e fundit kampionale të sigurojnë ekzistencën në elitë, pa shkuar në barazh. Iu duhej fitorja në ndeshjen e fundit ndaj Gjilanit.

Por të shtunën e kaluar në stadiumin e mbushur me tifozë në Gjakovë, Vëllaznimi luajti vetëm 0:0 me Gjilanin. Gjilani shpëtoi dhe Vëllaznimi humbi rastin e parë për të siguruar mbetjen në elitë. Rastin e dytë e pati të enjten. Në ndeshjen e barazhit luajti me Ferizajn, që përfundoi i katërti në Ligën e Parë. Gola nuk pati për 120 minuta lojë, ndërsa në penallti ferizajasit ishin më të efektshëm dhe kështu e siguruan elitën dhe Vëllaznimin e dërguan në kategorinë e dytë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme