Finlanda shpallet sërish shteti më i lumtur në botë për të jetuar

Prishtinë | 19 Mar 2021 | 19:11 | Nga Ekonomia Online

Finlanda është emëruar sërish vendi më i lumtur në botë për të katërtin vit me radhë, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara.

Raporti i lumturisë nëpër botë ka radhitur Danimarkën në vendin e dytë. Zvicra është radhitur e treta, Islanda e katërta ndërkaq Holanda e pesta.

Zelanda e Re është sërish shteti i vetëm jo evropian i cili hyn në mesin e 10 vendeve më të lumtura në botë. Ndërkohë, në raportin e këtij viti, Britania e Madhe bie në listë, nga vendi i 13-të në vendin e 17-të, raportojnë mediat e huaja.

Hulumtuesit e Gallup-it kanë realizuar anketa me popullsinë e 149 shteteve për të bërë më pas rangimin sa i përket lumturisë.

Anketa përfshinë të dhëna si mbështetja sociale, liria personale, bruto produkti vendor dhe nivelet e korrupsionit.

Shteti i cili është ranguar sivjet si më i palumturi është Afganistani i përcjellë nga Lesoto, Botsvana, Ruanda e Zimbabve.

Sipas të dhënave të prezantuara, në një të tretën e shteteve të botës është vërejtur “frekuencë më e lartë e emocioneve negative”, dhe kjo është lidhur kryesisht me efektet e pandemisë me koronavirus.

Megjithatë, në 22 shtete gjërat duket se kanë ndryshuar për të mirë. Disa shtete aziatike janë ranguar më mirë se në listën e vitit të kaluar siç është Kina e cila nga pozita e 94-të vitin e kaluar, është ranguar në pozitën e 84-të këtë vit.

Ndërkohë, autorët e hulumtimit thonë se shteti skandinav Finlanda me 5.5 milionë banorë është listuar sërish e para pasi ka arritur të menaxhojë pandeminë me COVID-19 më mirë se shumica e vendeve të tjera të Evropës.

Finlanda ka shënuar vetëm 70.000 raste me koronavirus dhe 805 vdekje, sipas Universitetit Johns Hopkins.

Kjo është lista e 10 vendeve më të lumtura:

Finlanda

Danimarka

Zvicra

Islanda

Holanda

Norvegjia

Suedia

Luksemburgu

Zelanda e Re

Austria

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme