Duke bashkëndjerë dhimbjen dhe trishtimin me qytetarët në Shqipëri, Forumi për Iniciativa Qytetare, (FIQ) ka hapur dyert për ndihma nga qytetarët e Kosovës.
Drejtoresha e Forumit për Iniciativa Qytetare (FIQ), Dajan Berisha, ka thënë për EkonomiaOnline se iniciativa e tillë ka për qëllim solidarizimin me të prekurit nga kjo tragjedi.
“Po mendoj është një iniciativë shumë njerëzore për atë çfarë ka ndodhë në Shqipëri. Qytetarët e dinë se tërmeti i jashtëzakonshëm ka dëmtuar Bashkinë e Durrësit, komplet fshatrat përreth të kësaj bashkie, në zonat e plazhit ka viktima, ndër ta edhe fëmijë, kështu që kemi ndërmarrë këtë iniciativë”, thotë ajo me lot në sy.
Me lot në sy, Berisha tha se është ndjenjë e mirë kur sheh qytetarët e Kosovës teksa u vijnë në ndihmë banorëve të prekur nga ky termet.
“Është një ndjenjë e jashtëzakonshme, është shumë humane dhe në fund të ditës ne jemi një komb jemi njerëz dhe ndjejmë njësoj, sidomos për dhimbjen, kështu që për mua do të thotë shumë sepse për gjysmë ore njerëzit kanë filluar të sjellin ato që janë të nevojshme për viktimat dhe familjet e dëmtuara, batanije, veshje për dimër dhe mbulesa e shtretër, sepse në Durrës tashmë janë hapur tenda”, ka thënë ajo.
Të gjithë të interesuarit për të sjellë ndihmat (veshmbathje për fëmijë dhe të rritur, batanije) mund t’i dërgojnë ato në zyret e FIQ-it në Pejton, Rruga Pashko Vasa, nr 12/1. Ndërkaq, këto ndihma do të dorëzohen nesër pasdite.