Fiskalizim i paligjshëm – AKB: Qeveria po e dëmton klimën e biznesit me eksperimente!

Prishtinë | 15 Kor 2025 | 16:00 | Nga Ekonomia Online

Gjykata rrëzon fiskalizimin e Ministrisë së Financave – Bizneset nuk mund të qeverisen me vendime të njëanshme!

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) mirëpret vendimin e Gjykatës Supreme për shpalljen e paligjshme të udhëzimit administrativ të Ministrisë së Financave lidhur me pajisjet fiskale elektronike.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se ky vendim konfirmon shqetësimet e kahershme të komunitetit të biznesit.

“Se politika fiskale nuk duhet të bëhet me imponim;
Se vendimet që prekin mijëra biznese duhen hartuar me konsultime reale, transparente dhe gjithëpërfshirëse.

Fiskalizimi modern është i domosdoshëm, por vetëm nëse zbatohet në partneritet me sektorin privat, duke respektuar kornizën ligjore dhe duke shmangur rritjen e panevojshme të kostove për bizneset.
AKB kërkon nga Ministria e Financave:

Të rifillojë procesin me një qasje të hapur dhe profesionale, duke përfshirë aktivisht bizneset dhe organizatat përfaqësuese.
Të bëjë studim të ndikimit real që do të ketë fiskalizimi në sektorët e vegjël dhe të mesëm.

Të mos ndërmarrë më vendime të njëanshme që pastaj bien në gjykatë dhe dëmtojnë klimën e investimeve.

Ministritë duhet të shërbejnë qytetarët dhe bizneset, jo t’i ngarkojnë me rregullore që bien në kundërshtim me ligjin.

Si gjithmonë, AKB është e gatshme të kontribuojë me ekspertizë dhe dialog për një fiskalizim të drejtë, efikas dhe ligjor”, tha Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve – AKB.

Të ngjashme