Fitorja e madhe e shqiptarëve ndaj kampiones së Evropës, Greqisë

Prishtinë | 04 Sht 2020 | 18:21 | Nga Ekonomia Online

Më 4 korrik të vitit 2004, Greqia u shpall kampione e Evropës. Në Lisbonë e mposhti Portugalinë në finale, me rezultatin 1:0. Në gusht, grekët e luan një miqësore, ndërsa më 4 shtator 2004, 16 vjet më parë, Greqia do të luante ndeshjen e parë zyrtare si kampione e Evropës.

Ishte favorite e madhe, por u befasua për të keq në “Qemal Stafa” të Tiranës. 2:1 e fitoi Shqipëria ndeshjen që vazhdon të jetë prej më të mëdhave në histori të kombëtares shqiptare. Ishte ndeshje kualifikuese për Botërorin e vitit 2006.

Si kampione e Evropës, Greqia nuk e diskutonte fitoren në stadiumin tashmë të rrënuar. Por, lojtarët e Kombëtares së Shqipërisë, ashtu si shkruante në një parullë të tifozëve, ua bënë të ditur lojtarëve të Greqisë se nuk ishin në Portugali, ku pak kohë më parë kishin arritur sukses kulmor.

Edvin Murati e Adrian Aliaj kishin realizuar golat për fitoren e madhe të kuqezinjve.

Federata Shqiptare e Futbollit të premten ka përkujtuar atë fitore historike.

“16 vite më parë Shqipëria mundte 2:1 Greqinë, kampione e saposhpallur e Evropës. Gramoz Palushi, një tifoz kuqezi, humbi jetën i dhunuar nga errësimi i arsyes, ndërsa futbolli shqiptar vijoi të bëj hapa përpara duke u bërë një realitet i rëndësishëm në futbollin evropian. Sot është dita për ta kujtuar atë ngjarje”, ka shkruar FSHF-ja.

Image

Tani Kosova e ka radhën të luajë ndaj Greqisë, të dielën në “Fadil Vokrri”, në kuadër të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve.

Emocionet nuk janë as për së afërmi me ato të ndeshjes së 16 vjetëve më parë, por shpresohet për një reagim të Kosovës pas paraqitjes së zbehtë ndaj Moldavisë.

Gramoz Palushin të premten e kanë kujtuar edhe Tifozat Kuq e Zi. I riu shqiptar ishte vrarë më 4 shtator 2004 në Greqi derisa po festonte atë fitore të madhe të Shqipërisë ndaj Greqisë.

“Gramozi ra për flamur. Gjithmonë në zemrat tona”, kanë shkruar Tifozat Kuq e Zi, tifozët zyrtarë të Kombëtares së Shqipërisë.

Image

Të ngjashme