Fitorja e opozitës sllovake nuk pritet të sjellë ndryshime ndaj Kosovës

Prishtinë | 02 Mar 2020 | 08:28 | Nga Ekonomia Online

Fitorja e opozitës në zgjedhjet parlamentare të Sllovakisë nuk duket se do ta ndryshojë qëndrimin zyrtar të Bratislavës ndaj njohjes së Pavarësisë së Kosovës. Kështu thotë analisti i njohur sllovak, Milan Niç, që aktualisht është i angazhuar në Këshillin Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë (DGAP).

Sllovakia, edhe pas ndërrimit të qeverive, do të mbetet një nga pesë vendet e BE-së që nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës, thotë Niç.

“E vetmja mundësi është ndonjë lëvizje në pako, bashkë me Greqinë dhe Rumaninë, si përgjigje ndaj një marrëveshjeje në bisedimet Kosovë-Serbi”, tha Niç për “Kohën Ditore”.

Niç thotë sa çështja e mosnjohjes së Kosovës nga ana e Sllovakisë është keqkuptuar në një masë në Prishtinë. Sipas tij, më shumë ndikim në këtë pozicion kanë brengat e brendshme sllovake si dhe trashëgimitë historike, sesa ndonjë pozicionim gjeopolitik.

Sipas tij, një tipar karakteristik i këndvështrimit sllovak është “hezitimi për të njohur se thjesht nuk ka pasur hapësirë për marrëveshje politike mes Serbisë dhe Kosovës pas luftës së vitit 1999 dhe se zgjidhjet e reja duhej të imponoheshin nga jashtë”.

Të ngjashme