Një profesor kosovar i fizikës ka marrë guximin ta sfidojë gjeniun e shekullit XXI, përkatësisht fizikanin e ndjerë të përmasave globale Albert Einstein (Albert Ajnshtajn).
Ajnshtajn ishte vlerësuar se kishte koeficientin e dijes së trurit 165 dhe ishte i njohur në botë me teorinë e relativitetit, përderisa para gati një shekulli kishte fituar çmimin “Nobel për Fizikë” për zbulimin e ligjit të efektit fotoelektrik.
Por doktori i Fizikës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Shukri Klinaku, thotë se teoria e Ajnshtajnit është e paqëndrueshme, pasi ka gjetur shumë gabime në të, shkruan “Zëri”.
Klinaku shkon edhe më tej me kritika, duke e vlerësuar Ajnshtajnin si njeri konfuz dhe mistik, ndërsa për teorinë e tij thotë se është e pasaktë.
Për të arritur në këto konstatime Klinaku thotë se i janë dashur 30 vjet studime.
“Shumicën e kohës kam punuar në shpjegimin e lëvizjes relative. Sot teoria speciale e relativitetit është teoria dominante shkencore. Unë qysh para përfundimit të studimeve bazike kam filluar ta studioj atë teori, afër 30 vjet unë punoj në këtë lëmi”, ka thënë ai.