28-vjeçarja L.S., nga Vushtrria e cila ishte shtatzënë, ka humbur jetën mbrëmë nga coronavirusi. Për këtë ngjarje të rëndë kanë njoftuar familjarët e saj në Facebook, ku kanë shkruar edhe fjalë prekëse për të.
Një familjar i saj ka shkruar se L.S. luftoi shumë por nuk ia doli kësaj beteje.
“L.S. na la, mbrëmë vonë ia dorëzoi shpirtin Krijuesit fuqiplotë bashkë me beben, që e kishte në barkun e saj e që e donte aq shumë. L.S., më e mira prej nesh, luftoi shumë, por nuk ia doli. Shpirtin na e këputi, duke na lënë një varre të hapur për tërë jetën në loçkën e zemrës sonë.
L.S., për shpëtimin e të cilës u lut i tërë qyteti, e tërë shoqëria e familja jonë, do të mbetet kujtimi më i mirë e më i dashur në jetët tona. Pusho e qetë me bebushin tënd, e neve na prit atje, në Xhenetet e Allahut!”
Familjarët kanë njoftuar se varrimi i 28-vjeçares do të bëhet në varrezat e fshatit Banjskë.