Në varrimin e vëllezërve nga Livoçi i Gjilanit, Isa e Shemsedin Abazi, të cilët vdiqën nga tërmeti që e goditi Shqipërinë mëngjesin e së martës, po merr pjesë edhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti
Në fjalimin e tij në ceremoninë e Varrimit të vëllezërve Abazi, Kurti tha se Qeveria e ka për obligim ta ndihmojë dhe ta përkrahë familjen e tyre.
“Ne si Qeveri e kemi për obligim që ta ndihmojmë e ta përkrahim këtë familje, tragjedinë e se cilës do ta ndajmë të gjithë ne. Edhe në gëzim edhe në hidhërim do të jemi me ta. Le t’i qëndrojmë pranë kësaj familje që i humbi më të dashurit. Dhe duke i shprehur ngushëllim edhe për këta dy djem edhe për 40 të tjerët. Ne do të jemi këtu që t’i mbështesim. Mërzinë e kemi të pashmangshme. Ju faleminderit që keni ardhë këtu pranë familjes. Shëmsedini e Isai u prehshin në paqe”, ka thënë Kurti.
Tërmeti i fuqishëm prej 6.4 shkallë të Rihterit që goditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit ishte fatal për dy vëllezërit të cilët nuk arritën t’i mbijetojnë shembjes së hotelit në të cilin gjendeshin.
Nga tërmeti që goditi Shqipërinë deri më tani janë konfirmuar 41 viktima dhe mbi 600 të lënduar.