Fjolla (Morina) nuk bëhet dot Adelinë

Prishtinë | 25 Kor 2019 | 21:03 | Nga Donika Gashi

Adelina Ismaili ishte e para. Ose ndër të parat këngëtare që u zhvesh në skenë e për publikun shqiptar. Adelina aso kohe, pra në fund të të 90-ave, konsiderohej heroinë e gjeneratës së vet. Shumica e donim dhe e mbështesnim Adelinën. Sepse, siç thonin, ajo “thyente barrierat, sfidonte mentalitetin patriarkal, çlironte vajzat e reja prej prangash të baballarëve fanatikë e nanave të pashkolluara, që i martonin vajzat pa dëshirën e tyre, sapo ato mbaronin shkollën e mesme.”

Po. Për mentalitetin kulturor dhe situatën politike të asaj periudhe, kështu shiheshin gjërat dhe pak a shumë kështu komentohej zhveshja muzikore e Adelinës. Në fakt, Adelina ishte inteligjente, tepër e bukur dhe për fat kishte një menaxhere të jashtëzakonshme për atë kohë, nanën e saj Monën, e cila e pat kuptuar qysh herët që në mesin e një populli të uritur për liri dhe demokraci, do të jetë fare e lehtë t’ia dalësh të mbijetosh ekonomikisht dhe artistikisht, nëse bën diçka që s’ka bërë askush para teje. Prandaj, Adelina ishte e para që në koncertet e saj tubonte më shumë se 1000 vetë në qytete të vogla dhe më shumë se 3000 në sallat e koncerteve në diasporë. Kur Adelina shfaqej në skenë, emrat tjerë të skenës muzikore vdisnin automatikisht. Kur Adelina merrte pjesë në koncert, emrat tjerë ishin veç dekor për poster dhe parapërgaditje e publikut për kënaqësinë që ua ofronte paraqitja live e Adelinës. Shqiptarët e donin Adelinën. Anë e kënd Kosovës, Shqipërisë, Ballkanit e Evropēs.

Adelina ishte ikona shqiptare e bukurisë dhe e modës. Pak kush merrej me interpretimin e Adelinës. Madje as që ishte e nevojshme. Sepse Adelina, megjithëse asnjëherë nuk u bë këngëtare e mrekullueshme, kishte arritur që ta bënte popullin për vete, prandaj publiku lehtësisht e pranoi edhe zanin e Adelinës. Dhe kaq mjaftonte për të arritur majat e suksesit ndër shqiptarë.
Pas Adelinës, u shfaqën edhe shumë e shumë “adelina” tjera, por të cilat, nuk ia dolën ta sfidojnë publikun me asnjë lloj filozofie, e fare pak ia arritën të bartin ndonjë mesazh pozitiv e që i fle kohës në të cilën këto vajzusha po aspironin të shndërroheshin në ikonën Adelinë e dytë.

Muzika ndër shqiptarë as ka filluar, as përfundon me Adelinën, natyrisht. Por, të jetosh në skenë si Adelina, të të pranojnë për artiste edhe ata dhe lloji i atyre që sot reaguan kundër Fjolla Morinës dhe paraqitjes së saj, duhet ta kesh edhe një “filozofi tënden” që sfidon fenomenet e kohës dhe që tenton të bartë një mesazh më interesant, sesa veq zhveshja dhe përfitimi personal në popullaritet e para.

Po ua garantoj që Adelinën në bikini, në skenë, në koncerte e në TV, e kanë pa mijëra prindër shqiptarë bashkë me fëmijët e tyre. Ashtu si e panë edhe Fjollën. Por Fjolla nuk bëhet dot Adelinë.

Të ngjashme