Shumica e sportistëve e përfundojnë karrierën pa ia dalë të përjetojnë emocionet e skenës së madhe. Në not, rruga deri në skenën e madhe, të paktën për më të talentuarit, vlerësohet të jetë më e lehtë.
Kështu Fjorda Shabani, që po vlerësohet si talente e madhe e notit, tashmë e ka përvojën e kampionateve botërore, evropiane e të Lojërave Mesdhetare. Është paraqitur në të gjitha këto ngjarje madhore, ndonëse është vetëm 14 vjeçe. Madje paraqitja e saj ishte shumë e suksesshme, nëse për bazë merret niveli vendor. Ajo ka vendosur disa rekorde të vendit për të rritura në ngjarjet në të cilat është paraqitur gjatë vitit të kaluar, shkruan sot Koha Ditore.
Fjorda Shabani është ende në fillim të karrierës së saj ndërkombëtare, ndërsa planet e synimet për të ardhmen i ka të mëdha. Ndër të tjera synon që të paraqitet në lojërat e ardhshme olimpike “Tokio 2020” me normë të fituar. Një motiv shtesë për të është fakti që në fillim të javës i është ndarë bursa olimpike nga Komiteti Olimpik i Kosovës. Me ndarjen e bursës në KOK dhe në Federatën e Notit të Kosovës kanë vlerësuar se ajo është me potencial për të fituar normën për “Tokio 2020”.