Publicistja Flaka Surroi ka reaguar sot ndaj një deklarate të kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, sipas së cilës “në Kosovë do të ndodhë katastrofa humanitare” nëse Qeveria nuk tërheq vendimin për vënien e taksës ndaj mallrave të Serbisë në masën prej 100 %, transmeton Koha.net.
Surroi ia ka përkujtuar me këtë rast Bërnabiqit ato që Serbia kishte bërë kundër popullatës shqiptare në Kosovë që nga viti 1989 e deri në vitin 1999 kur kishte ndodhur jo vetëm katastrofa humanitare por edhe vrasjet, masakrimet, plaçkitjet e dëbimet e shqiptarëve të Kosovës nga vatrat e veta.
Me shifra e fakte, Surroi ka përmendur të gjitha tragjeditë që administrata, ushtria e policia serbe kishin bërë kundër çdo gjëje që ishte e ka qenë shqiptare.
Ky është postimi i Surroit:
“Po bën hajgare!
Katastrofë humanitare? Ti nuk e di çka është katastrofa humanitare, e meqë nuk e di, që po të tregoj:
Katastrofë humanitare është kur i qet prej punës 150 mijë njerëz dhe i lë pa të hyra nja 900 mijë njerëz;
Kur shkollat rrijnë mbyllur, e fëmijë shkojnë nëpër shtëpi/shkolla e arsimtarët nuk paguhen 9 muaj;
Kur i mbyll spitalet e ua mohon trajtimin shqiptarëve në baza etnike;
Kur i qet prej banesave me qindra familje;
Kur i sulmon me qindra fshatra, e popullata mbetet e ngujuar ne mal, pa asnjë mjet themelor jetese;
Kur i dëbon 400 mijë njerëz prej shtëpive të tyre për më pak se tre muaj, e që strehohen ku të mbërrijnë, pa ujë e mjete higjienike;
Kur i dëbon afër 1 milion njerëz e lë në lloçin e Bllacës, a kodrat e Jazhincës apo të Kukësit;
Kur i shkatërron 100 mijë shtëpi dhe plaçkit krejt çka të mundesh, dhe i lë njerëzit pa asnjë send;
Patetikën në gjak e keni. S’pi ujë më, sepse jeni rrenca. E këtë vetë e pranoni, bile mburreni me këtë fakt!”.