Ekipi nga Brazili, që triumfoi në Copa Libertadores, Flamengo, ka shprehur interesim për sulmuesin e Atletico Madridit, Diego Costa.
Lajmi është bërë i ditur të premten nga e përditshmja spanjolle “AS”. Mësohet se drejtuesit e ekipit brazilian tashmë kanë kontaktuar përfaqësuesin e Costas, pasi sulmuesi pritet në janar të largohet nga Atletico Madridi.
Costa te Flamengo shihet si zëvendësim për Gabriel Barbosan, të cilit në fund të këtij viti do t’i skadojë huazimi nga Interi, transmeton Koha Ditore.
Costa, 31-vjeçar, këtë edicion ka shënuar dy gola në 14 ndeshje në të gjitha garat dhe ka kontratë me Atleticon deri në vitin 2021. Te Flamengo janë të gatshëm që për transferimin e Costas, të paguajnë dëmshpërblim deri në 15 milionë euro.