Tragjedia që ka ndodhur dje në Basel të Zvicrës ka shokuar tërë vendin. Therja me thikë e 7 vjeçarit nga Kosova i cili jetonte atje me familjen e tij, ende shkaqet e sulmit kanë mbetur mister. Një 75 vjeçare dyshohet se e ka therur me thikë. Dëshmitarët okularë kanë rrëfyer për ngjarjen.
Dëshmitarë okularë kanë thënë për gazetën “Basler Zeitung” se fëmijën 7 vjeçar e kishin parë të prerë në fyt dhe pranë tij kishte shumë gjak.
Pas këtij sulmi, banorët e lagjes ku ndodhi ngjarja, kanë shkuar për të hedhur lule, qirinj dhe lodra në nder të tij.
Shumë njerëz u panë duke qarë dhe duke e tundur kokën me hutim.
“Pse më i vogli duhet të vdesë”, pyet një banor që u pa aty pranë vendit të ngjarjes gjersa i lente lulet në zonën ku u vra kosovari.
“Mund të na kishte ndodhur secilit prej nesh”, tha një tjetër.
Tre djem të shkollës ku 7 vjeçari kishte vijuar mësimin, kanë thënë se e morën lajmin nga prindërit e tyre.
“Kur na njoftuam, ne ishim duke luajtur basketboll, nuk mund ta besonim se çka ka ndodhur”, kanë thënë ata.
Para këtij akti, disa banorë rrëfyen se kishin dëgjuar britma të një fëmije, por nuk e kishin menduar se është në rrezik.
“Shpesh këtu fëmijët dëgjohen duke luajtur dhe dëgjojmë zërat e tyre të lartë, pasi këtu është shkolla. Nuk e kemi menduar se është fjala për ndonjë rrezik”, thotë një banore.
Pas tërë kësaj ngjarjeje, motivet e sulmit ende nuk dihen, ndërkohë prokuroria dhe policia po e hetojnë rastin.
75-vjeçarja, është vetëdorëzuar në polici dhe ka pranuar krimin e bërë.