Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Prizren. Policia ka gjetur dy trupa të pajetë dhe një armë zjarri në një shtëpi në lagjen “Edit Durham”. Babë e bijë u gjetën të vdekur, derisa Prokuroria Themelore ka deklaruar se arma e gjetur në vendin e ngjarjes, dyshohet se është arma zyrtare e policisë dhe se rasti ka ndodhur në prezencë të familjarëve.
Ekipi i Gazetës Express po qëndron në familjen Mazreku në Prizren, nga ku sjell versionin e tyre për ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmë.
Sipas familjarëve, krejt ngjarja ka ndodhur aksidentalisht.
Siç pretendojnë ata, zyrtari policor, S.M. në momentin tragjik ishte duke e pastruar armën e tij, dhe një plumb i shkrepur nga arma ka goditur vajzën e tij të madhe, e cila mbeti e vdekur.
Pas kësaj, familjarët thonë se zyrtari policor vrau vetën.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë versionin zyrtar rreth rastit që ndodhi mbrëmë në Prizren.
“Viktimat janë familjarë në mes vete, janë babë e bijë, të moshës 52 vjeçare, përkatësisht 21 vjeçare, ku njëri nga viktimat është zyrtar policor, i policisë kufitare. Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë e zjarrit e cila dyshohet se është arma zyrtare e policisë. Ngjarja ka ndodhur në ambient familjar në prezencën e anëtarëve të familjes. Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori kujdestar së bashku me njësitë relevante policore dhe zyrtarët e Inspektoratit Policor të Kosovës”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.
Deri tash, nuk dihen rrethanat e rastit, por nga Prokuroria thonë se janë duke mbledhur informatat e nevojshme me qëllim zbardhjen e rastit.
“Pas shikimit të vendit të ngjarjes, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Deri më tani nuk dihen rrethanat e rastit, mirëpo Prokuroria dhe Policia janë duke mbledhur informacionin e nevojshëm me qëllim të zbardhjes së rastit dhe rrethanave që kanë çuar deri në ngjarjen tragjike”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.