Sot u bë e ditur se deri më tani në Policinë e Kosovës janë konfirmuar pesë raste pozitive me Covid-19, ndërkaq mësohet se tre prej tyre janë të infektuar nga Veriu i Mitrovicës, shkruan Gazeta Metro.
Zyra për informim e këtij institucioni në një përgjigje me shkrim drejtuar Metros, ka bërë të ditur se tre të infektuarit në Veri të Mitrovicës janë duke u monitoruar dhe gjenden në karatinë, ndërsa dy të tjerë vijnë nga Malisheva dhe nga Prishtina.
“Deri më tani janë (5) raste që zyrtarët policor kanë rezultuar pozitiv me virus, një rast në Malishevë zyrtari ka qenë i liruar nga puna, në pushim si rast i veçantë shëndetësor dhe i njëjti nuk ka pasur kontakt me ndonjë zyrtar policor ( gjendet ne vetë karantinë). Një rast në rajonin e Prishtinës vizitë studimore në Londër, dhe falë syçëltësisë së dhe komunikimit me DSHSH-në, menjëherë është vendosur në (vetë karantinë) duke mos rrezikuar aspak të tjerët”.
” Ndërsa, tri raste në Veri të Mitrovicës–zyrtaret janë duke u monitoruar dhe gjenden në karantinë”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Tutje Policia e Kosovës bën të ditur se për shkak të situatës së krijuar nga kjo pandemi, një numër i zyrtarëve policorë të cilët kanë sëmundje të rënda dhe një pjesë e stafit civil janë liruar, përderisa një pjesë e tyre, sipas nevojës janë duke kryer detyra administrative nga shtëpia përmes pajisjeve elektronike.
“Disa zyrtar që janë sugjeruar për vetë izolimi dhe izolimi i detyruar ka rrjedhe me rekomandim te Ekipeve Mjekësorë neper pikat kufitare, ( pas ardhjes se tyre nga vende te ndryshme si ; Zvicër, Londër, Serbi, Amerike, Gjermani etj.). Çdonjëri prej tyre ka Udhëzimet nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe nga Ekipet Mjekësore ne pikat Hyrëse te Kosovës”, thuhet ndër tjerash në përgjigjen e PK’së dhënë Metros.
Për rastet pozitive me koronavirus në këtë institucion, ka bërë të ditur edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj në një përgjigje për media.